Ambasadori rus në Turqi, Aleksey Yerkhov, tha se disa vende perëndimore kanë dhënë data që parashikonin pushtimin e Ukrainës nga Rusia, por asnjëra prej tyre nuk është realizuar, transmeton KosovaPost.
“Një nga këto data ishte dje, një tjetër sot dhe e treta nesër. Dhe çfarë ndodhi? A pati pushtim?”, shtroi pyetjen ai.
“Ne nuk kemi sulmuar as dje, nuk kemi sulmuar as sot dhe nuk do të sulmojmë as nesër. Sepse ne nuk do të sulmojmë askënd”, deklaroi diplomati rus, i cili tha se kushtet janë të hapura për provokim dhe se tensioni po rritet qëllimisht që të vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Ambasadori saktësoi se ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov u ka dërguar nga një letër vendeve të NATO-s dhe se këtë letër ia ka përcjellë personalisht ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoglu).
“Nëse Turqia përdor marrëdhëniet e saj ‘të privilegjuara’ me Ukrainën, mund ta bindë këtë të fundit të përmbushë detyrimet e saj sipas Marrëveshjes së Minskut. Ne do të ishim mirënjohës për këtë”, theksoi Yerkhov, për Radiotelevizionin e Turqisë (TRT).
Diplomati rus tha se vazhdojnë bisedimet për caktimin e datës së vizitës së presidentit Vladimir Putin në Turqi dhe se ka shumë çështje që presin të trajtohen në bisedimet e nivelit të lartë.