Ambasadorja turke nё Prishtinё: ‘Turqia do tё jetё pranё miqve kosovarё’

Ambasadorja turke nё Prishtinё: ‘Turqia do tё jetё pranё miqve kosovarё’

Ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kёvёllxhёm Kёllёç (Kıvılcım Kılıç), në një artikull qё ka shkruar për gazetën “KOHA Ditore” ka thënë se politika e jashtme e Turqisë me njeriun në qendër, përkrahjen e saj në Kosovë e ka intensifikuar posaçërisht në shëndetësi, arsim dhe zhvillim, duke theksuar se përmes projekteve që prekin jetën e popullit të Kosovës, vendi i saj edhe më tutje do të vazhdojë të qëndrojë pranë miqve kosovarë.

Artikullin e saj me titull “Projeksioni kosovar i politikës së jashtme turke me njeriun në qendër: Mbështetja në shëndetësi, arsim dhe zhvillim”, Kёllёç e fillon duke treguar një rast disa ditë më parë në Gjakovë, ku një njeri i kishte treguar për shërimin e tij në Turqi pasi i ishte thënë se nuk mund trajtohet në Kosovë.

“Gjatë një vizite në Gjakovë ditë me parë, një Yugo-45 ngjyrë hiri u ndal pranë meje. Nga vetura doli një burrë i moshës së mesme, i cili me sy të njomë tregoi se ishte shëruar në një spital shtetëror të Turqisë, pasi atij i kishin thënë se sëmundja e tij nuk mund të trajtohej në Kosovë. Ai tregoi se ishte i sëmurë nga veshkat dhe se ishte operuar. Ai më tutje shtoi se falë mundësisë që Turqia u kishte ofruar kosovarëve ishte operuar atje dhe se falë këtij operimi ishte në jetë dhe mund të shëtiste me familjen e tij. Më pas bëmë një fotografi me të dhe hipi ne veturën e tij të tipit të vjetër për të vazhduar rrugën. Kjo pamje më kujtoi gëzimin dhe shpresën e një nëne, të cilës i ishte operuar foshnja nga një mjek turk, mjek ky që kishte ardhur në Kosovë me rastin e ‘Javës së shëndetit’, dhe me këtë rast në Kosovë ishte bërë operacioni i parë i hapur në zemër tek nje fëmi”, shkruan Kёllёç.

Në shkrimin e saj Ambasadorja thekson se falë mbështetjes së Turqisë për trajtim shëndetësor, edhe ky njeri i moshës së mesme ngjashëm me foshnjën kishte arritur që të mbijetonte.

Ajo tregon se gjatë qëndrimit të saj në Kosovë në cilësinë e Ambasadores turke, me raste të ndryshme ka vёrejtur se Turqia bën gjëra të mira për këtë vend mik dhe vëlla.

“Po ashtu e kam ndarë edhe gëzimin e mikeve tona kosovare, kur na tregonin që për herë të parë kanë pasur rastin të udhëtojnë për në Turqi me rastin e aftësimit për punë dore, e që pas kthimit në vendlindje, kishin kontribuar pёr ekonomitё e tyre familjare, me mjetet e fituara nga punët e dorës që i kishin bërë vetë”, ka vazhduar Kёllёç.

Ajo më tej thekson se Turqia vërtet ka një traditë të qëndrueshme për ndihmë humanitare dhe solidarizim, e cila buron nga historia dhe kultura e saj. Sipas saj, institucionet turke, që ofrimin e ndihmës për popujt dhe vendet që kanë halle të shkaktuara nga luftërat, varfëria, konfliktet shoqërore ose katastrofat natyrore, e konsiderojnë obligim njerëzor, këto ndihma i konsiderojnë edhe si faktorë të rëndësishëm të stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar.

“Barra dhe përgjegjësia e marrë përsipër në emër të përgjegjësisë ndërkombëtare, dhe që është në rritje e sipër që nga fillimi i viteve 2000, në implementimin e projekteve të partneritetit për ndihmë zhvillimore, për diplomaci humane, për aktivitete të ndihmave humanitare dhe që ka të bëjë me luftën në Siri, e kanë bërë Turqinë një prej faktorëve kryesorë të sistemit global humanitar. Ndihmat humanitare dhe kontributet e kësaj natyre vitet e fundit janë intensifikuar duke u shtrirë në shumë rajone të botës. Për më tepër i është shtuar numri i llojeve te kёtyre ndihmave duke u shtrirë në fusha të ndryshme, si dhe është bërë një rritje për nga cilёsia dhe sasia, duke përfshirë ndihmat për shëndetësi, arsim dhe zhvillim”, thekson Kёllёç.

Duke cituar “Raportin Global për Ndihma Humanitare” të vitit 2018, i përpiluar nga “Global Humanitarian Assistance”, Ambasadorja e Turqisë në Kosovë ka shkruar se sipas këtij raporti, ndihmat humanitare të Turqisë më 2015 ishin 3,1 miliardë dollarë dhe më 2016 arritё nivelin prej 6 miliardë dollarë, ndërsa në vitin 2007 kjo shifër u ngrit në 8,07 miliardë dollarë.

“Me kёtë shumë Turqia radhitet në vendin e parë në botë për ndihma humanitare dhe përkrahje. Sipas raportit në fjalë, Turqia 0,85 për qind të prodhimit tё saj kombëtar e akordon për ndihma humanitare, për t’u radhitur në vendin e parë në botë, ku cilësohet si ‘vendi më dorëdhënë në botë’. Turqia tanimë është përkushtuar që me gjitha t’u ofrojё përkrahje vendeve që kanë nevojë për ndihmë me tё institucionet dhe agjencitё e saj shtetërore përfshirë këtu edhe TIKA-n (Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim), Gjysmëhënën e Kuqe, AFAD-in (Autoriteti për Menaxhimin e Fatkeqesive Natyrore dhe të Emergjencave) etj”, ka theksuar Kёllёç, duke shtuar se politika e jashtme turke me njeriun në qendër, përkrahjen e saj në Kosovë e ka intensifikuar posaçërisht në shëndetësi, arsim dhe zhvillim.

“Ekziston një memorandum bashkëpunimi i nënshkruar më 2009, ndërmjet ministrive të shëndetësisë të të dyja vendeve. Ministria e Shëndetësisë në Turqi, më shumë se 40 vendeve u ofron mundësi trajtimi në Turqi, përfshirë këtu edhe Kosovën. Përmes këtyre dy mekanizmave, që nga viti 2010 për çdo vit mbi 1.000 kosovarë trajtohen pa pagesë në Turqi. Për më tepër, falë raporteve të krijuara ndërmjet institucioneve të ndryshme, edhe një numër tjetër i madh i kosovarëve trajtohen në Turqi. Së këndejmi për çdo vit specialistë turq vijnë në Kosovë për të organizuar “Javën e shëndetësisë”, me ç’rast trajtojnë edhe pacientë kosovarë, por edhe ndajnë përvojat e tyre me kolegët nga Kosova”, është shprehur Kёllёç.

Duke përmendur edhe fushën e arsimit, ambasadorja Kёllёç thotë se edhe në këtë fushë ekziston një tablo shpresëdhënëse. Siç ka vazhduar ajo, në kuadër të programeve të bursave qё jepen nga Bursat Turke dhe Këshilli i Arsimit të Lartë, që nga fillimi i viteve të 1990-ta mbi 2.200 kosovarë studimet themelore dhe pasuniversitare në inxhinieri, mjekësi, drejtësi, shkenca shoqërore etj, i kanë vijuar në Turqi.

“Të gjitha këto duhen parё si reflektim i dashurisë dhe i besimit ndaj të rinjve kosovarë, që janë garancia e së tashmes dhe e të ardhmes së shtetit të ri, pra të Kosovës”, vlerëson Kёllёç.

“Krahas atyre që u përmendën më lart, TIKA, që nga viti 2004, kur filloi veprimtarinë e saj në Kosovë, duke synuar që t’i mbulojё të gjitha fushat ku paraqitet nevoja, ka jetësuar 144 projekte nё fushёn e arsimit, 20 në shëndetësi dhe 224 projekte zhvillimore. TIKA ka ndërtuar 36 institucione arsimore, të niveleve nga parafillorja e deri në institucione të arsimit të lartë, dhe i ka furnizuar me pajisje më moderne. Në fushën e shëndetësisë, së fundmi TIKA ka modernizuar Repartin e Mjekësisë Intensive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, e cila aktualisht është bërë më e modernizuara në Kosovë”, shton ajo.

Siç shkruan Kёllёç, janë jetësuar gjithsej 74 projekte zhvillimore, kryesisht nga fushat e bujqësisë dhe blegtorisë, përfshirë edhe fushat si transporti, magazinimi, komunikimi dhe energjetika, gjë që është një kontribut për zhvillimin ekonomik.

Po ashtu, janë zhvilluar më shumë se 150 projekte të konsolidimit të infrastrukturës për institucione shtetërore dhe organizata të shoqërisë civile, thotë Kёllёç, duke shtuar se TIKA ka restauruar 12 monumente historike, të cilat pas restaurimit janë përfshirë në jetën shoqërore.

“TIKA, me më shumë se 600 projekte bashkëpunimi, që arrijnë shumën mbi 100 milionë dollarë, është bërë ndër institucionet që më së shumti kontribuon në zhvillimin e Kosovës në të gjitha sferat e jetës, si për shembull, donacione për pajisje dhe trajnime në qendra të autizmit, zhvillimi i bletëve dhe bletarisë, donacione për prodhimin e çajeve mjekësore dhe aromatike, ndarja e deleve balushe për blegtorët kosovarё, rinovimi gjithëpërfshirës i një kopshti parashkollor në Drenas etj. Ne e ndjejmё veten krenarё që jemi pranë miqve tanë kosovarë”, potencon Ambasadorja e Turqisë në Kosovë.

Duke theksuar se veprimtaria me njeriun në qendër, që është bërë pika e gravitetit e politikës së jashtme turke, është duke u jetësuar me qëllim të ndihmës për formësimin e dinamikave në drejtim të paqes, mirëqenies dhe stabilitetit në rajone që kanë nevojë për përkrahje në këtë kohë tё ndryshimeve dhe ekuivokëve, Kёllёç kolumnën e saj e përfundon me fjalët:

“Në këtë periudhë, kur aspektet politike, ekonomike, sociale dhe njerëzore janë të gërshetuara, Turqia, në politikën e saj të jashtme ka përcaktuar një vizion gjithëpërfshirës, paqësor dhe parimor, dhe në kuadër të këtij vizioni, të gjitha mundësitë e saj ajo i aktivizon për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale të vendeve të cilave u jep përkrahje. Politika e jashtme e Turqisë, me karakter angazhues dhe humanitar, do të vazhdojё të veprojё në drejtim të këtij qëllimi dhe t’i kontribuojё qëllimeve të përbashkëta të njerëzimit. Përmes projekteve që prekin jetën e popullit të Kosovës, edhe më tutje ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranё miqve tanë kosovarё.” (Anadolu Agency-AA)

You may also like

Zbulohet shtesa qe do të marrin fëmijet deri në moshën 16 vjeçare

Ka filluar debati parlamentar, sipas kërkesës së deputetes