Qeveria e Kosovës ka shprehur ambicie të mëdha rreth anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Derisa, numri dy i ekzekutivit, ka thënë se synojnë që këtë vit ta marrin statusin kandidat, opozita thonë se kjo nuk mund të bëhet pa njohjen e pesë vendeve të BE-së. Ndërkohë, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, këtë e lidhin me dialogun me Serbinë.
Kosova po synon që këtë vit ta fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kështu të paktën ka deklaruar numri dy i Qeverisë, Besnik Bislimi, para anëtarëve të Parlamentit Evropian, në një paraqitje të martën që shkoi.
Para eurodeputetëve, Bislimi ka thënë se Kosova kërkon të marrë statusin e kandidatit deri në fund të këtij viti.
“Objektivi ynë është i qartë, ne kërkojmë që të marrim statusin e kandidatit deri në fund të këtij viti, ky mund të shihet si qëllim sfidues, por jemi plotësisht të angazhuar për të arritur atë. Është esenciale për zhvillimin dhe prosperitetin e Kosovës dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe më e rëndësishmja për stabilitetin tonë politik dhe sigurisë”, ka thënë Bislimi.
Por, këtë synim të ekzekutivit kosovar, opozita po e sheh të zorshëm pa njohjen nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqit, thotë se pushteti deri tani nuk ka bërë asgjë për sjelljen e njohjes nga pesëshja mos njohëse evropiane.
Në një linjë me LDK-në, është edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj.
Për dallim nga opozita, ndryshe mendon njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Visar Xani.
Ai thotë se ekziston vetëm një mënyrë se si Kosova do të merrte statusin kandidat deri në fund të vitit 2023, për anëtarësim në BE.
Në dhjetor të vitit që shkoi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i kishte dorëzuarÇekisë, vendit që aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Trajtimin e kësaj çështjeje e ka vazhduar Suedia, e cila e ka marrë kryesimin e BE-së nga 1 janari i këtij viti.
Po ashtu, Kosova, para se të aplikonte për anëtarësim në BE, në maj të vitit 2022, ka aplikuar për anëtarësim edhe në Këshillin e Evropës.


























