Analisti zviceran që merret specifikisht me politikën e Bashkimit Evropian dhe situatën në Ballkanin Perëndimor, Toby Vogel, e ka kritkuar qasjen e BE-së ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Vogel sot shtroi pyetjen se pse BE-ja është kaq “e tmerruar” nga Vuçiqi, sa që as nuk e përmendin emrin e Serbisë. Këtë koment ai e bëri duke iu referuar konferencës për shtyp të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano të martën, lidhur me sanksionet ndaj anëtarit serb të Presidencës së BE-së, Millorad Dodik.
“Duke dëgjuar konferencën e djeshme të mesditës, nuk mund të mos mendoja, pse BE-ja është kaq e tmerruar nga Vuçiqi? Ata nuk mund të thonë as “Serbia” në podium. E jashtëzakonshme”, shkroi Vogel në Twitter.
“Nuk do të thosha se janë të tmerruar. Ata thjesht janë në siklet sepse autokrati i tyre i përkëdhelur po sillet keq”, i komentoi një qytetar.
Atij, Vogel i replikoi: “Po ke të drejtë. Por ajo shfaqet si frikë.”
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha të martën në një konferencë për media se BE-ja po shqyrton sanksionet e mundshme ndaj Republika Srpskas në Bosnjë e Hercegovinë.
Ai tha se ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë për Bosnjë e Hercegovinën më 24 janar, por e gjithë konferenca u karakterizua me tepri diplomatike krahas Dodikut, të cilin SHBA-ja tashmë e ka sanksionuar duke e targetuar hapur si faktor të destabilizimit të Bosnjës.
Toby Vogel ka kritikuar vazhdimisht qasjen e butë të BE-së karshi situatës së tensionuar në Bosnjë dhe karshi Serbisë, e cila e mbështet hapur Dodikun në synimet e tij për shpërbërjen e Bosnjës,transmeton gazeta express.Së fundmi, Vogel tha se BE-ja nuk ka nevojë për konsensus për të vendosur sanksione.