Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, Afrim Fejza, ka kaluar nga sot në Lëvizjen Vetëvendosje.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Fejza përmes një postimi në Facebook, ndërsa ka shkruar se “sot, pas një takimi që ka pasur më 8 tetor me kreun e Vetëvendosjes Albin Kurtin dhe kandidatin për kryetar të Drenasit, Fejzi Kiqina.
“Nga sot e liroj pozitën në Këshillin Drejtues të PDK-së, dhe njëherësh falënderoj përzemërsisht 71 votuesit në Drenas, 160 votuesit nga të gjitha komunat e Kosovës, si dhe aktivistë dhe lobues të ndershëm anembanë Republikës së Kosovës, respekti për ju është i përhershëm!”, ka shkruar mes të tjerash Fejza në një postim në Facebook.
Postimi i plotë:
Një takim miqësor me ish-kolegun e studimeve, prijësin e proceseve dhe të demonstratave studentore, mikun tim, Albin Kurti, tashmë kryeministër i Republikës së Kosovës, të cilin edhe fizikisht e urova për sukseset e arritura në garën zgjedhore të 14 shkurtit!
Natyrshëm biseda filloi me kujtimet dhe nostalgjitë studentore të viteve 90, ku për shqiptarët në Kosovë arsimimi dhe studimet universitare ishin një nga shumë sfidat jetësore të kohës! Me gëzoi edhe fakti se miku tjetër i im, Arianiti (i vëllai i Albinit) bashkë me kolegë tjerë kanë ndërtuar një karrierë brilante prej profesori dhe shkencëtari ndërkombëtar në fushat e Inxhinierisë Elektroteknike dhe Teknologjive Inovative dhe po e përfaqësojnë me nderë vendin tonë në arenat më të avancuara botërore!
Kryeministrin Kurti e njoftova se në mesin e shumë profileve arsimore edhe në shkollën tonë profesionale është hapur profili arsimor teknologjik dhe inovativ, Mekatronika, por që për arritjen e sukseseve po sfidohemi me vështirësi dhe me mungesë të kushteve infrastrukturore!
Kryeministrin Kurti e urova dhe e përgëzova edhe për kandidatin e tij në garën zgjedhore për udhëheqjen dhe qeverisjen e komunës së Drenasit, Fejzi Kiqina, e të cilit me modesti i premtova votën time, një e drejtë qytetare për ndryshime pozitive dhe obligim i kandidatit pretendent për qeverisjen e tij katërvjeçare!
Takimi me kryeministrin është organizuar më dt. 08 tetor, brenda pak orësh të kërkesës sime( E falënderoj për vendosjen në agjendën e tij).
P.S. Nga sot e liroj pozitën në Këshillin Drejtues të PDK-së, dhe njëherësh falënderoj përzemërsisht 71 votuesit në Drenas, 160 votuesit nga të gjitha komunat e Kosovës, si dhe aktivistë dhe lobues të ndershëm anembanë Republikës së Kosovës, respekti për ju është i përhershëm!
Njëherësh për shkak të parime njerëzore e ndiej për obligim t’i kërkoj falje publike kryetarit Veseli, për këtë dorëheqje pa prezencën e tij fizike në Kosovë, i uroj shëndet, drejtësi dhe kthim të shpejtë me të gjithë shokët e tij të luftës Çlirimtare! A F.