Edhe dy mësues tjerë janë pezulluar nga puna pas shfaqjes së karikaturave të Profetit Muhamed para nxënësve në Shkollën Gramatikore “Batley”.
Ky vendim e çoi në tre numrin e mësuesve të pezulluar, të cilët po hetohen rreth incidentit. Pezullimi i mësuesve erdhi pasi një nxënës iu ankua prindërve, shkruan Daily Mail.
Dhjetëra protestues të zemëruar u mblodhën për dy ditë radhazi para hyrjes së kësaj shkolle javën e kaluar pasi një mësues paraqiti para nxënësve një vizatim si pjesë e një njësie mësimore për blasfeminë.
Mësuesi, burrë në të njëzetat, është fshehur në një vend të panjohur së bashku me partneren dhe katër fëmijët e tij pasi mori kërcënime me vdekje.
Drejtori i shkollës tha se mësimi për blasfeminë ka qenë pjesë e kurrikulës, por mësuesi nuk ka qenë i autorizuar që ta shfaqë karikaturën para nxënësve. Një nxënës mysliman u ndie i fyer nga njësia mësimore dhe më pas prindërit paraqitën ankesë.
Një burim brenda shkollës tha se dy mësuesit tjerë që po hetohen nuk kanë qenë në klasë në kohën e shfaqjes së vizatimit, por pretendohet se kanë qenë të vetëdijshëm se kolegu i tyre do ta shfaqte karikaturën para nxënësve.
Ky burim konfirmoi se vizatimi i shfaqur para nxënësve ishte marrë nga gazeta satirike franceze, “Charlie Hebdo”, ku paraqitet Profeti Muhamed me një bombë në kokë.g,e.