Arben Vitia e ka konfirmuar dorëheqjen nga posti i Ministrit të Shëndetësisë, transmeton Kosova Post.
Gjatë deklarimit të tij para mediave, ai tha se do ta zëvendësojë Dafina Gexha, për të vazhduar angazhimin e tij si kandidat për kryetar të Prishtinës nga Vetëvendosje.
“Më lejoni që t’iu njoftoj për një vendim që e kam marrë në bashkërendim me kryeministrin Kurti dhe me LVV-në. Unë sot po e përmbyll angazhimin tim në këtë detyrë me të cilën më ka ngarkuar kryeministri Kurti që do t’i jem mirënjohës jo vetëm për besimin por edhe për mbështetjen e vazhdueshme”, tha ai.
“Jam i nderuar nga bashkëpunimi me të gjithë. Jam thellë i prekur nga solidariteti dhe përpjekja e pashtershme për të ndjekur udhëzimet parandaluese nga qytetarët të cilët gjatë kësaj kohe treguan mirëkuptim dhe kulturë duke mbrojtur bashkë shëndetin publik dhe u bëmë shembull për plot vende të tjera”, tha Vitia, njofton Kosova Post.
“Ia transferoj përgjegjësinë stafit të ministrisë, zëvendësministres Dafina Gexha me bindjen e plotë se puna e mirë do të vazhdojë”.