Nga Besnik Jaha
Viti shkollor 2019/2021 u ndërpre në gjysmë (më 11 mars të vitit 2020 u ndërpre mësimi në shkolla, për të vazhduar pas disa javësh në platforma online).
Viti shkollor 2020/2021u konceptua të vazhdojë sipas tri skemave (A-prani fizike në shkolla; B- gjysma e klasës në shtëpi e gjysma në shkollë, dhe; C-komplet online), ndërsa u zhvillua thuajse vetëm sipas skemës B dhe C.
Duket se edhe viti shkollor 2021/2022 do të ketë fat të njëjtë.
Ajo që më brengos jashtëzakonisht shumë është:
– Mosdiskutimi për gjetjen e alternativave për mësim plotësues për nxënësit që po ngecen pas në mësime e zhvillim edukativo-arsimor, pasi shkollat e mesme tani nuk janë katër por tre vjet, dhe kështu fëmijët po i përfshin komplet niveli shkollor në modelin e mësimit, të themi troç, sa për të thënë. Nëse ndalemi dhe e shikojmë nivelin e nxënësve në vitin shkollor 2017/2018, apo në cilindo vit shkollor para pandemisë, dhe e krahasojmë me nivelin e nxënësve të dy vjetëve të shkuara, mendoj se do të trishtohemi nga rezultatet. E, pasojat do t’i korrim pas një a dy dekadave. Prandaj, mendoj se MAShT duhet të ndërmarrë sa më shpejt diçka në këtë drejtim, pasi ky vit është vagoni i fundit i trenit të fundit të komplet një niveli të arsimit parauniversitar.
– Sot në shkollat fillore e të mesme të Kosovës, sipas Kurrikulës së Arsimit Parauniversitar të Kosovës, provohet një lloj reduktimi i arsimit sipas modeleve mekanike të dijeve. Në këtë mënyrë mendoj se po prodhohet një lloj pakësimi të qenit origjinal, i krijimtarisë origjinale dhe i autonomisë. Kjo është e pranishme te të dy palët viktima të reformave në arsim, nxënësit e mësimdhënësit, e që te ne kanë ndodhur vazhdimisht e pa asnjë garanci për sukses. Të këtij modeli janë, për shembull, mësimi-vlerësimi i përmbledhur në teste. Pra, synohet gjithëpërfshirja, ndërsa realizohet ajo që NoamChomsky e quan indoktrinim dhe kontroll. Paramendojeni rezultatin që do ta prodhojë ky lloj mësimi i zhvilluar gjatë pandemisë, apo, siç e thashë më sipër, i një mësimi sa për të thënë!
– Arsimi është aorta e një populli. Dhe aorta jonë tanimë ka dy stenda (dy vjet mësim jocilësor).
Një stendë e tretë do ta shkatërronte. Në këtë kontekst, MAShT-i, po edhe shoqëria jonë, pak kanë menduar për “ruajtjen e mësimdhënësit”. MAShT-i mësimdhënësin e ka shndërruar në punëtor administrativ e teknik, ndërsa në familjet tona, para fëmijëve që ia çon mësimdhënësit/es që t’ia mësojë, nënë e baba, pa asnjë skuqje në fytyrë,shprehen për mësuesin/en çfarë fëmija s’mund ta besojë e pranojë. Ja përse ne nuk kemi mësues të dashuruar në profesionin e tyre (edhe ata pak që janë po e humbin durimin)! Ja pse ne nuk kemi fëmijë të dashuruar në shkollën-mësimin! Dhe tani, në pandemi, kur motivi për mësim ka rënë te nxënësit, janë mësuesit ata që ndihen jashtëzakonisht keq për faktin se tash nuk po munden që nga distanca fëmijëve t’ua bëjnë të dashur mësimin; e kishin shumë të vështirë në prani fizike, e lëre tash. Në shoqërinë tonë vështirë se mund të gjejmë mësues të tipit të RalphLynn (profesor i Historisë në Wisconsin e Texas), i cili mbahet mend prej ish-nxënësve (tani profesorë universitar) edhe pas 50 vjet karriere të këtyre të fundit, se po, “mësuesi Lynn ishte mësuesi më i mirë në botë” (AnnRichards, governatore e Teksasit në vitin 1991, thotë për të: “Mësuesi Lynn na e ofronte një dritare drejt botës, ndërsa orët e tij ishin, thjesht, një aventurë fantastike). (Më falni që e zgjata te kjo pikë, mirëpo këtu çalojmë më së shumti!)
– Pastaj fëmijët, që me reforma e reforma në arsim i kemi bërë ta urrejnë shkollën në vend se ta duan (ta urrejnë mësimin dhe ta shohin si të parëndësishëm për të ardhmen e tyre). Dikur fëmijët kishin turp prej mësuesve, dhe njëkohësisht i donin. Sot mësuesit fyhen, nënçmohen e sulmohen prej fëmijëve. E, raste-raste fëmija e prindi bashkë e sulmojnë mësuesin. Po si mund të pritet pastaj një shprehje dashurie e përkushtim i mësuesit të shkretë për të dhënë mësim para atij fëmije?! Në këtë kontekst, mendoj se MAShT-i është vonuar tash e 21 vjet të krijojë platforma-trajnime për edukimin e prindërve në raport me sjelljet që duhet t’i bëjnë gjatë pranisë së tyre në shkollë, po edhe në shtëpi në prani të fëmijëve. MAShT-i ka mundësi që këtë ta bëjë përmes koordinatorëve për cilësi në çdo shkollë.
Më brengosin edhe shumë çështje të tjera në lidhje me arsimin, siç janë gjuha (diskursi që përdoret prej nxënësve), bulizmi (secili mësimdhënës duhet ta ketë parasysh dhe ta edukojë çdo nxënës që fillimisht veten, e pastaj secilin, ta pranojë siç është), mbingarkesa me lëndë mësimore, tekstomania e testomania, mungesa e motivit për të lexuar-mësuar, e edhe plot të tjera që nuk po i përmend e shtjelloj vetëm që mos ta zgjas më shumë. Shpresoj të bëhet diçka, sidomos te pika e parë, sepse edhe ashtu jemi vonë!