Arsyet e caktimit të paraburgimit për familjarët e Enver Sekiraqës

Arsyet e caktimit të paraburgimit për familjarët e Enver Sekiraqës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqyrtuar sot kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj vëllait dhe nipit të Enver Sekiraqës të dyshuar për plagosjen e Zenel Jasharit.

Gjykata Themelore ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve Naser Sekiraqa e Fatlum Abazi.

Të pandehurve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç duke filluar prej datës 12 qershor e deri me 12 korrik 2018.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte paraqitur një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve Naser Sekiraqa dhe Fatlum Abazi për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë dhe bashkëveprim, si dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Në lidhje me këtë kërkesë të paraqitur nga Prokurori i Shtetit, i dyshuari Naser Sekiraqa ka thënë se ai nuk e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet për shkak se ai në momentin në të cilin ka ndodhur rasti ka qenë në një varrim, për çka ka deklaruar a se mund ta dëshmojë me disa dëshmitar/persona të cilët kanë qenë po ashtu pjesëmarrës në këtë varrim.

“Theksoj se mund të ceki edhe shumë dëshmitarë të tjerë me të cilët jam takuar tek varrezat e për çka të njëjtit mund të deklarojnë se kemi qenë bashkë e jo ashtu siç thotë prokurori….të gjithë mund të deklarojnë se unë kam qenë në varrim”, ka thënë Sekiraqa në seancën në lidhje me caktimin e masës së paraburgimit.

Ai ka deklaruar se me të dëmtuarin e këtij rasti Zenel Jasharin nuk ka pasur asnjëherë kurrfarë raporte.

“Zenel Jasharin e njoh të cilin e kemi në mëhallë fqinj, ndërsa kurrfarë raportesh me të nuk kam pasur asnjëherë, kurse e di që me vëllain e Fatlumit ka pasë problem me herët diçka ndërsa atë kohë më ka akuzuar edhe mua se kinse edhe unë kam qenë pjesëmarrës në rastin e tij. Unë nuk jam pa me Zenelin”, kishte thënë i dyshuari Naser Sekiraqa.

Ndërsa mbrojtësi i Naser Sekiraqës, avokati Florent Latifaj gjykatës i kishte prezantuar një USB me video incizime të marrë nga varrezat e qytetit , me të cilën pretendon të provojë se klienti i tij në momentin e ngjarjes ka qenë në një varrim.

“E mbështes deklarimin e të mbrojturit tim dhe siç tha sa i përket alibisë se nuk ka qenë në vendngjarje, ia prezantoj gjykatës USB-në të marrë nga varrezat e qytetit me video incizim, ku shihet momenti i arritjes së të mbrojturit tim në varreza rreth orës 16:30 dhe deri sa fillon ceremonia e varrimit shihet i njëjti së bashku me ata që i përmendi vetë”, ka thënë avokati Latifaj.

Ai ka theksuar se konsideron se nuk ekziston dyshimi i bazuar se i mbrojturi i tij e ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë për shkak se sipas avokatit “në të njëjtën kohë nuk mund të jetë i njëjti person në dy vende”.

Në lidhje me rrezikun se të dyshuarit mund të arratisen, avokati Latifaj ka thënë se po të ekzistonte rreziku i ikjes të dyshuarit do të iknin dhe se nuk do të gjendeshin në shtëpi.

“Po gjendet Naser Sekiraqa në shtëpi, po e hap derën dhe po i thotë se kemi ardhë në bastisje ndërsa Fatlumin po e gjejnë duke fjetur vetëm një orë e gjysmë pas kryerjes së veprës dhe atë në shtëpi, po të ekzistonte rreziku i ikjes këta do të iknin, dhe si do të mund të flejë dikush i cili ka dhënë 13 plumba në trup dikujt dhe i ka plagosur dy vetë”, ka deklaruar avokati Latifaj.

Ndërsa Fatlum Abazi kishte thënë se ai në momentin që kishin shkuar policia në shtëpi të tij ka qenë në gjumë.

“…Unë kam fjetur dhe kur kanë ardhur policia unë jam dalë ja u kam  qelë derën dhe kur policia më kanë pyetur se a jam Fatlum Abazi, bile policët më vërejtën dhe më kanë pa se vetëm sa jam zgjuar prej gjumit ashtu që nuk kam pasur njohuri fare në lidhje me rastin që tani gjendem në gjykatë”, kishte thënë Abazi.

Ai më tej ka deklaruar se ai nuk ka probleme me të dëmtuarin.

“Unë me tani të dëmtuarin nuk kam pasur probleme por i njëjti vëllait tim Fahri Abazin e ka plagosur tetë herë në të dy këmbët, ndërsa në vitin 2012 ka pas problem me vëllanë tim më të voglin Fatbardh Abazin ndërsa me mua nuk ka pasur problem asnjëherë , andaj edhe e ndjej veten plotësisht të pafajshëm në këtë rast”, ka deklaruar Fatlum Abazi.

Edhe mbrojtësi i Fatlum Abazit, avokati Mentor Neziri e ka kundërshtuar kërkesën për caktim të masës së paraburgimit duke shtuar se asnjë kusht ligjor i cili është përshkruar në kërkesën e prokurorisë së shtetit nuk është i mbështetur.

Ndërsa prokurori i shtetit kishte deklaruar se mbetët pranë kërkesës së ushtruar me shkrim për caktimin e masës së paraburgimit.

Gjyqtarja e procedurës paraprake Alltën Murseli pasi që i ka analizuar të gjitha provat e paraqitura nga palët ka analizuar se ekziston dyshimi i bazuar se me datën 12 qershor 2018 rreth orës 17:15 minuta, përballë gjimnazit “Sami Frashëri”, që gjendet në rrugën “Ibrahim Lutfiu” në Prishtinë, të pandehurit në bazë të marrëveshjes paraprake kanë tentuar që ta provojnë nga jeta tani të dëmtuarin Zenel Jasharin dhe njëkohësisht kanë rrezikuar edhe jetën e Nazmi Uka, për shkak të një konflikti të mëhershëm që ka pasur i pandehuri Naser Sekiraqa me tani të dëmtuarin Zenel Jasharit .

“Në atë mënyrë që paraprakisht të pandehurit së bashku edhe me N.N personin gjatë tërë ditës kanë përcjellë lëvizjet e tani të dëmtuarit Zenel Jashari dhe në momentin kur i njëjti ishte në veturën e tipit “Ford” ngjyrë të gjelbër…. që e drejtonte tani i dëmtuari Nazmi Uka, të pandehurit shfrytëzojnë situatën e krijuar, kolonë në rrugë dhe njëri nga ta ofrohet te pasagjeri i automjetit dhe pasi që dritarja e automjetit ka qenë e hapur me armë në dorë e futë dorën brenda në veturë dhe aty shtënë 13 herë në drejtim të dëmtuarit Zenel Jashari, me ç’rast të dëmtuarve u ka shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe me shpejtësi janë larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në aktvendimin mbi caktimin e masës së paraburgimit të siguruar nga KALLXO.com.

Sipas këtij aktvendimi me anë të këtyre veprimeve inkriminuese, ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit e kanë kryer veprat penale të lartcekura dhe se po të gjenden në liri do të mund të pengonin rrjedhën e procedurës penale duke e fshehë, ndryshuar ose falsifikuar provat e veprës penale si dhe duke ndikuar tek të dëmtuarit dhe në dëshmitaret të cilët ende nuk janë dëgjuar nga prokuroria.

Prandaj në këto rrethana sipas gjyqtares së procedurës paraprake Alltën Murseli, janë paraqitur shkaqet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve pasi që duke pas parasysh natyrën e veprës penale si dhe rrezikshmërinë e saj tani për tani caktimi i masës së paraburgimit është i domosdoshëm.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët në lidhje me këtë rast.

You may also like

Myftiu frikacak i ‘ofrohet’ kusive më të qelbura mediatike

Shkruan: Fadil Pushkolli Myftiu i Kosovës në intervistën