Gjykata Themelore në Prishtinë, ua ka refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës, katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha, Arben Gjuka.
Ndërsa, kjo gjykatë ka pushuar procedurën penale për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes penale për të akuzuarit Fadil Citakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata pjesërisht ka hedhur aktin akuzues dhe pushuar procedurën penale për disa nga të akuzuarit, ndërsa për disa nga të akuzuarit ka konfirmuar aktin akuzues duke refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës.
Në vendim thuhet se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pretendon se në këtë çështje penale kemi të bëjmë me vepër penale të përhershme dhe kështu nocioni i vjetërsimit të ndjekjes penale nuk zë vend në këtë rast. Këtë pretendim PSRK e mbështet në faktin se dëmi i pretenduar e i shkaktuar me veprimin e personave zyrtar ende ekziston dhe se përderisa ekziston ky dëm konsiderohet se vepra penale ende është duke u kryer, ashtu që nuk zë vend dhe vjetërsimi i ndjekjes penale.
Tutje, thuhet se në rastin konkret sipas akuzës së PSRK-së, posaçërisht pjesës për të cilën është hedhur akuza dhe pushuar procedura penale, gjykata konsideron se nuk ka vepër penale permanente.
“Për shkak se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me një gjendje kundërligjshmërie në vazhdimësi- për një periudhë permanente, por kemi të bëjmë me një dëm permanent, e i cili dëm nuk është element esencial në determinimin e veprës penale si vepër permanente, por elemente esencial është kundërligjshmëria. PSRK me aktin akuzues respektivisht me parashkrimin faktik nuk e ka cilësuar veprën penale si permanente mbi bazën e kundërligjshmërisë por mbi bazën e dëmit, e ku dëmi nuk është element i cili përcakton se vepra penale a është permanente, për këtë gjykata nuk konsideron se në këtë çështje penale kemi të bëjmë me vepër penale permanente”, thuhet në vendim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit, të akuzuarit, për të cilët është hudhur akti akuzues dhe pushuar procedura penale kanë ndërmarrë vetëm një veprim dhe atë në njërin nga takimet e bordit kanë vendosur për një çështje (kanë marrë vendim për transferimin e hidrocentraleve tek një operator privat), mirëpo nuk kanë bërë veprime të vazhdueshme për ta mbajtur kundërligjshmërinë gjallë, ashtu siç kërkohet te vepra penale permanente.
“Të akuzuarit me ndërmarrjen e vetëm një veprimi nuk e kanë mbajtur kundërligjshmërinë gjallë për një periudhë permanente, kështu që kundërligjshmëria ka përfunduar me ndërmarrjen e veprimit-vendimit, ndërsa pasoja ka zgjatur për më shumë kohë. Meqenëse kemi të bëjmë me një veprim të të akuzuarve (marrjen e një vendimi), dhe se kundërligjshmëria ka zgjatur vetëm për një periudhë të shkurtes kohore (një moment kur është marrë vendimi nga bordi e jo veprime permanente të mbajtjes së kundërligjshmërisë), andaj dhe koha e vjetërsimit të ndjekjes penale llogaritet nga koha e marrjes së këtij vendimi në cilësi të anëtarëve të bordit”, thuhet në vendim.
Sipas vendimit, për të akuzuarit për të cilët është hudhur akuza dhe pushuar procedura penale gjykata konsideron se ka arritur parashkrimi relativ i ndjekjes penale.
“Ky parashkrim ka arritur për faktin se nga koha e kryerjes së veprës penal ( potencuar në aktin akuzues- dispozitivin 1 për të akuzuarin Lorik Fejzullahu, për të akuzuarit tjerë dispozitivi IV, V, VI dhe VII) e deri në fillimin e hetimit, respektivisht zgjerimin e hetimit, kanë kaluar më shumë se 5 vite, kështuqë plotësisht konsiderohet se ndjekja penale është parashkruar dhe ka arritur parashkrimin relativ për të akuzuarit e cekur më lartë”, thotë vendimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Konsideruar se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me vepër penale permanete dhe se parashkrimi i ndjekjes penale në këtë rast fillon të rrjedh nga koha e kryerjes së veprës penale, gjykata ka ardhur në përfundim se nga koha e kryerjes së veprës penale e deri në momentin e zgjerimit të hetimit, për të akuzuarit për të cilët është hudhur akti akuzues ka arritur vjetërsimi relativ i ndjekjes penale. Meqenëse ka arritur vjetërsimi relativ i ndjekjes penale gjykata ka hedhur aktin akuzues dhe pushuar procedurën penale pjesërisht për një pjesë të të akuzuarve”, thuhet në vendim.
Ndërsa, për gjashtë të akuzuarit për të cilët është konfirmuar aktakuza, gjykata ka konsideruar se në rastin konkret ekzistojnë prova të mjaftueshme dhe të ligjshme, të cilat verifikojnë dyshimin e bazuar si parakusht për ta dërguar çështjen në shqyrtim gjyqësor.
“Gjykata për të vërtetuar në tërësi faktet të cilat kanë të bëjnë me fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve, respektivisht për të vërtetuar se të akuzuarit për të cilët nuk është hudhur aktakuza se a kanë konsumuar me veprimet e veta elementet e veprës penale për të cilat akuzohen, kjo cështje duhet të kalohet në shqyrtim gjyqësor”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Sipas këtij vendimi, gjykata gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetojë faktet në raport me vendimmarrjen e këtyre të akuzuarve në cilësi të personave zyrtarë dhe se veprimet e tyre a konsumojnë elementet e veprës penale për të cilat akuzohen, respektivisht se në momentin e vendimmarrjes a kishin tejkaluar të akuzuarit kompetencat e tyre apo keqpërdorur ato me rastin e transferimit të aseteve nga publike te një operator privat.
“Nëse këto asete ( hidrocentralet) bazuar në legjislacionin primar dhe sekondar në fuqi a kanë qenë asete të cilat i janë dedikuar prodhimit apo distribucionit, se këto asete nëse kanë qenë të dedikuara në asetet e prodhimit dhe nuk kanë mundur të transferohen ashtu sic pretendon prokuroria, sa ka qenë njohuria e zyrtarëve që kanë marrë vendime në këtë proces të privatizimit dhe nëse kanë pasur njohuri për këto fakte me cfarë përgjegjësi kemi të bëjmë, a kemi të bëjmë me përgjegjësi penale”, thotë vendimi.
Tutje, thuhet se gjykata nuk ka gjetur se ekziston ndonjë provë e papranueshme e parashtruar në aktakuzë dhe sipas gjykatës këto prova nuk janë nxjerrë në kundërshtim me ligjin.
“Sa i përket aktit akuzues në raport me të akuzuarit për të cilët nuk është hudhur akuza konsideron se nuk ekzistojnë rrethanat të cilat e përjashtojnë përgjegjësinë penale të tyre, nuk ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale, amnisti apo falje dhe se ekzistojnë prova të mjaftueshme të cilat vërtetojnë dyshimin e bazuar dhe se duhet të kalohet në shqyrtim gjyqësor ku edhe do të vendoset në mënyrë meritore për çështjen, por gjithnjë pa paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e tyre”, thuhet në vendi.
Ndryshe, 19 të akuzuarit për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”, në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 28 tetor 2020, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, janë deklaruar të pafajshëm.
Për këtë rast, katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe 15 persona tjerë po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, me rastin e privatizimit të distribucionit të shpërndarjes së Korporatës Energjetike të Kosovës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të ngritur më 10 prill 2020, Besim Beqaj po akuzohet se si kryesues i Komitet Qeveritar për Privatizim (KQP) si dhe Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtar të KQP-së, me qëllim që të i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta.
Sipas aktakuzës, të njëjtit më 8 maj 2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen nga kompania “Limak-Calik”.
Të njëjtën ditë, vazhdon aktakuza, janë nënshkruar marrëveshja për importe, marrëveshja për transferim, marrëveshja për furnizim, marrëveshja për implementim, marrëveshja për borxhe dhe me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen sepse një gjë të tillë e ndalon Ligji për Rregullatorin e Energjisë Elektrike me nr.05/L-04, neni 35, par4.
Sipas PSRK-së, këto asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK-ut, e me këto veprime të njëjtit kanë dëmtuar interesat e KEK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës si aksionar, konkretisht, vetëm për qira mujore për periudhën e mbetur, dëmi është 1,054.000.00 euro, sepse e njëjta është dashur t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese.
Po ashtu, dëm tjetër sipas PSRK-së është edhe vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, vlerë e cila nuk është regjistruar dhe prezantuar si vlerë e aseteve para privatizimit, por privatizimi është bërë sipas vlerës së regjistruar në vitin 2003, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Me këto veprime, PSRK i ngarkon këta të akuzuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, par 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
PSRK e akuzon edhe Fllanza Hoxhën, se në cilësinë e menaxheres në projektin e privatizimit e autorizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, i ka tejkaluar kompetencat e saj ashtu që edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek kompania “Limak-Calik”, gjenden edhe hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike dhe duke qenë në njohuri se të njëjtat nuk duhet të privatizohen, nuk ka vepruar konform detyrave të veta.
Për më tepër, sipas aktakuzës, Hoxha ka dhënë pëlqimin që një veprim i tillë të ndodh, veprim me të cilin ka dëmtuar interesat e KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar ashtu që vetëm si qira mujore vlera dëmit ka qenë 1,054.000.00 euro ndërsa dëm tjetër është edhe vlera e investuar në hidrocentrale prej 12,628,166.41 euro, dëm i cili vazhdon edhe më tutje të shkaktohet në mënyrë të përhershme.
Me këtë, Hoxha akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo detyrës zyrtare.
Për keqpërdorim të pozitës zyrtare po akuzohet edhe Arben Gjukaj, i cili sipas PSRK-së, duke vepruar në cilësi të Drejtorit Menaxhues të KEK-ut, edhe pse ka qenë i vetëdijshëm se katër hidrocentrale gjeneruese të energjisë elektrike nuk është dashur të privatizohen sepse ia ndalon baza ligjore, i njëjti as nuk ka ndaluar e as nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që ato asete të ngelin në kuadër të KEK-ut.
PSRK akuzon edhe Fadil Çitakun se në cilësi të kryesuesit të Bordit të KEK-ut, si dhe Mujë Rugovën, Agim Nikën, Flamur Keqën dhe Izet Ibrahimin në cilësi të anëtarëve të Bordit të KEK-ut, se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ashtu që edhe pse kanë qenë në njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen janë edhe katër hidrocentrale, që do duhej të mbeteshin në kuadër të KEK-ut, të njëjtit më 15 tetor 2012, kanë miratuar njëzëri që një veprim i tillë të ndodh duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar.
Për këtë arsye, të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Për lejimin e kalimit të katër hidrocentraleve në fjalë nga KEK tek kompania “Limak Calik”, në mënyrën të kundërligjshme sipas PSRK-së, po akuzohen edhe ish-kryesuesi i Bordit të KKDFE-së, Gani Jashari si dhe anëtarë e Bordit të KKDFE-se, Burim Basha, Gelor Shala, Naim Hyseni dhe Avni Alidemaj.
Të njëjtit, sipas aktakuzës, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare pasi që edhe pse kanë pasur njohuri se hidrocentralet në fjalë është dashur të mbesin edhe më tutje në pronësi të KEK-ut, nuk kanë vepruar konform përgjegjësive të tyre si dhe kanë lejuar që transferimi të ndodh edhe pse e kanë pasur obligim të mbrojnë interesat e kompanisë së sapoformuar.
Prokuroria e akuzon edhe Besnik Hazirin se në cilësinë e personit zyrtar, koordinator për shthurje të KEK-ut, me qëllim që t’i mundësoj çfarëdo përfitimi pasuror dhe t’i shkaktoj dëm personit tjetër, i ka tejkaluar kompetencat e veta, pasi që nga detyra që ka pasur për finalizim të aseteve dhe inventarit nga KEK në KKDFE, nuk i ka trajtuar hidrocentralet e dhëna me koncesion edhe pse ka pasur njohuri se në mesin e aseteve të cilat do të privatizohen nga KEK tek “Limak-Calik”, gjenden edhe katër hidrocentralet në fjalë duke i shkaktuar kështu dëme milionëshe KEK-ut dhe Qeverisës së Kosovë.
Me këtë, Haziri akuzohet se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar, po akuzohet edhe Krenar Bujupi, i cili sipas PSRK-së, si anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike dhe i deleguar në Komitetin Qeveritar të Privatizimit i ka tejkaluar kompetencat e tij duke e pranuar marrëveshjen për transferim të aseteve mes palëve KEK, KKDFE dhe më pas tek “Limak-Calik”, si të ligjshme përkundër faktit se Ligji për ZRRE, neni 35, par4 e ka ndaluar një veprim të tillë.
Kësisoj, me këtë veprim të tij, Bujupi, po akuzohet se ka keqpërdor pozitën e tij zyrtare, ashtu që sikurse edhe të akuzuarit tjerë, i kanë shkaktuar dëme që kapin shifrën e milionave, KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës si aksionar të saj.