Nga Arbër Zaimi, teoricien
Grafitet e mureve të Tiranës janë tre llojesh: ato komerciale, ato shtetërore (të mbështetura nga shteti) dhe ato të bëra pa leje (të paligjshme).
Komercialet ose janë logo me të cilat biznesi synon të tregojë seriozitet, peshë, prezencë, modernizim, ose janë të natyrës publicitare me njerëz kryesisht të rinj e gjithnjë të qeshur, hallezgjidhur, gati për të shijuar (konsumuar) jetën. Një art që si për nga mjetet ashtu edhe për nga synimi, i përngjan propagandës më të dobët të diktaturave totalitare.
Grafitet me leje e suport shtetëror janë po ashtu të dy natyrave: ose janë të natyrës vetëdijësuese, edukuese kundër këtij e atij fenomeni të dëmshëm apo promovuese të ndonjë sjelljeje të dobishme, kryesisht në funksion të ndonjë agjende shtetërore apo ojq-iste por që paraqiten sikur janë në funksion të individit (gjë që ky i fundit e dyshon, prandaj as që ua var këtyre grafiteve vetëdijësuese); ose janë të natyrës dekorative “artistike”. Për këto të fundit kontraktohen artistë ndonjëherë edhe të talentuar, por të cilëve u kufizohet veprimtaria. Arti i tyre nuk mund të shfaqë pakënaqësi e të ngjallë emocione negative ndaj politikës, meqë kjo e fundit e paguan. As emocione pozitive nuk mund të shprehë, sepse patetizmi do të shkaktonte revoltë dhe do të rrezikonte vetë reputacionin e artistit dhe të institucioneve që as vetë nuk pretendojnë se “ua kanë zgjidhur hallet njerëzve”, e lëre më të pretendojnë lumturinë e tyre. Si pasojë, arti mural i mbështetur nga shteti është as i lumtur as i palumtur, as i revoltuar as i parevoltuar, gjithnjë e më bizarr e weird. Por jo surrealist, sepse surrealizmi ishte subversiv, trazues i thellësive, ndërsa këtij arti i ndalohet kuturisja nën sipërfaqe. Unheimlich në tema e forma që paraqet.
Mandej edhe grafitet pa leje janë dy kategorish: ato të artistëve të talentuar të palejuar, që gjejnë ndonjë cep dhe ia tregojnë ndonjë të vërtetë të pakëndshme pushtetit e popullit; si dhe njerëzit pa ndonjë talent që shprehin mllefin e tyre apo ndjenja të tjera përmes banales. Vulgariteti si sinjal që ata ekzistojnë, por edhe refuzim i çdo lloj sofistikimi. Antiintelektualizëm autentik e deri në një masë vitalist. Mos pretendo të më luash “borgjezin” kur më ke lënë pa shpresë, pa njerëzillëk, pa atdhe, pa qytet, pa shoqëri, në mëshirë të bizneseve, bamirësve e ojq-ve.
Këto të kategorisë së tretë fshihen, gjobiten, konsiderohen vandalizëm.