Policia e Kosovës ka arrestuar tetë persona të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar.
Përmes një komunikatë për media nga Policia e Kosovës, bëhet e ditur se deri tek arrestimi erdhën pas një operacioni disa ditorë ndaj një grupi kriminal të përfshirë në disa vepra penale si: “Pjesëmarrja ose Organizimi i Grupit Kriminal të Organizuar” që lidhen me veprat “Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm”, “Zjarrvënie”, “Detyrim” etj.
“Të dyshuarit e arrestuar janë: A. P. dtl. 1999, K. K. dtl. 1998 , F. C. dtl. 2003, A.M. dtl. 1995, G. I. dtl. 1998, D.R. dtl. 2004, E.C. dtl. 1993, L.B. dtl 2000”, thuhet në njoftim.
Për më tepër, përmes komunikatës, Policia bën të ditur se cilat raste janë hetuar: Rastet e hetuara dhe në të cilat dyshohet se janë përfshirë personat e dyshuar tani më të arrestuar janë, rasti i datës 19.06.2022, ku rreth orës 02:20 ka ndodhur një zjarrvënie në një lokal në “Dardani” të Prishtinës, ku dyshohej se zjarri ishte shkaktuar nga hedhja e një shisheje me benzinë (koktej molotovi), e cila kishte shkaktuar vetëm dëme materiale.
Me datë 22.06.2022, diku rreth orës 03:30, në të njëjtin lokacion afër këtij lokali në Prishtinë ishte hedhur një granatë dore e cila kishte shkaktuar vetëm dëme materiale në tri veturat të cilat ishin të parkuara.
Ndërsa me datën 06.06.2022, diku në ora 03:03, në rrugën “Shemsi Ahmeti” në Mitrovicë ishte hedhur një granatë dore e cila nuk ishte aktivizuar (shpërthyer). Granata në fjalë nga vendi i ngjarjes ishte tërhequr nga njësia përkatëse e PK-së.
Më datë 28.06.2022, diku rreth orës 03:30, në rrugën e Mullirit në Mitrovicë, ishte hedhur një granatë dore e cila kishte shkaktuar vetëm dëme materiale.
“Me veprime operacionale të ndërmarra në vazhdimësi me datat 20.06, 22.06, 23.06, 27.06 dhe 03.07.2022 është arritur që të arrestohen tetë (8) personat e dyshuar për të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejtë në kryerjen e veprave penale të lartcekura”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në cilësi të prova materiale janë sekuestruar: tetë telefona mobilë, një veturë, 6.7 gramë substancë narkotike si dhe prova të tjera materiale të cilat shërbejnë në procedurë të mëtejme.
Personat e dyshuar fillimisht me urdhër të prokurorit kanë qenë në mbajtje, pastaj sipas vendimit të Gjykatës u është vazhduar masa e paraburgimit për 30 ditë.