Shkruan: Mevlüt Çavuşoğlu
Komuniteti ndërkombëtar shpesh shpreh dënimin e tij kundër terrorizmit në të gjitha format dhe manifestimet e tij dhe vendosmërinë e tij për të luftuar terrorizmin. Ky është një qëndrim i duhur, pasi terrorizmi mbetet një kërcënim i madh për sigurinë, mirëqenien, vlerat dhe perspektivat e përbashkëta për një të ardhme më të ndritur të mbarë njerëzimit.
Fenomeni i terrorizmit ka pësuar një transformim në vitet e fundit. Në këtë periudhë, ndërsa qëllimet dhe mjetet e organizatave terroriste janë zgjeruar, veprimet e tyre kanë marrë dimensione të reja. Organizatat terroriste po përpiqen të përshtaten me zhvillimet shoqërore, ekonomike dhe teknologjike dhe një mjedisi ndërkombëtar që evoluohet me shpejtësi. Disa nga grupet terroriste nuk janë qartë të dukshme dhe janë të fshehura pas një mjeti propagandistik të dizajnuar me dinakëri. Ky rast gjithashtu kërkon një rishikim të strategjisë sonë globale kundër terrorizmit. Lufta efektive kundër terrorizmit kërkon një perceptim dhe ndërgjegjësim gjithëpërfshirës mbi organizatat terroriste të gjeneratës së ardhshme, si dhe një perspektivë të re dhe një vullnet të fortë politik që bashkësia ndërkombëtare duhet të demonstrojë në këtë drejtim.
Është koha të thyejmë stereotipat duke rishikuar supozimet tona të vendosura përballë kërcënimit të ri të terrorizmit. Një lloj i ri i organizatës terroriste, përkatësisht Organizata Terroriste Fetullahiste (FETO) dhe lufta e Turqisë kundër saj janë një shembull i mrekullueshëm në këtë drejtim.
Turqia u përball me një përpjekje brutale grusht shteti nga FETO në 15 korrik 2016. FETO, një organizatë e fshehtë terroriste që depërtoi në organet shtetërore, u përpoq të shkatërronte demokracinë dhe të rrëzonte qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike me forcë. Në atë natë të zezë, si rezultat i akteve terroriste të FETO-s, 251 qytetarë tanë u vranë dhe më shumë se 2.000 qytetarë u plagosën. Institucionet shtetërore, veçanërisht Parlamenti dhe Presidenca jonë, ku mishërohet vullneti i lirë i kombit, u sulmuan nga armë të rënda, duke përfshirë sulmet nga tanket, avionët ushtarakë dhe helikopterët.
Si mund të ishin anëtarët e FETO-s kaq mizorë me kombin turk atë natë? Si u bënë kaq armiqësorë ndaj qeverisë së zgjedhur dhe rendit legjitim kushtetues? Përgjigjet tona për këto pyetje mund të përmbajnë të dhëna rreth shfaqjes dhe strukturës së këtij grupi shumë të rrezikshëm, që është aktiv në mënyrë efektive në një numër vendesh.
Anëtarët e kësaj organizate tinëzare iu nënshtruan indoktrinimit ideologjik dhe larjes së trurit në Turqi dhe vende të ndryshme të tjera përmes abuzimit të vlerave më të shenjta kombëtare dhe shpirtërore, kryesisht në të ashtuquajturat institucione arsimore në formën e shkollave, qendrave gjuhësore ose konvikteve. Botëkuptimet e tyre janë formuar gjithashtu në një mit të mençurisë së trilluar të ndërtuar rreth liderit të kësaj organizate Fethullah Gulenit, i cili është shpallur i ashtuquajturi “imam i universit”. Hierarkia e shtrembëruar brenda FETO-s detyron urdhrat e tij të shihen si fakte absolute dhe nuk mund të vihen në dyshim edhe nëse ato janë në kundërshtim me vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut. FETO ua shpërlau trutë e rinjve në një masë të tillë që ata përfundimisht u tjetërsuan me miqtë e tyre, madje edhe me familjet e tyre, në mënyrë që të siguronin bindjen e tyre të plotë. Planifikuesit e grusht shtetit FETO, si robotë të telekomanduar, nuk hezituan të drejtojnë me armë kolegët dhe shokët e tyre për t’i vrarë në natën e 15 korrikut, pasi të kishin marrë direktivat e FETO-s.
Individët e lidhur me FETO-n janë gjithashtu në gjendje të fshihen, duke marrë identitete të ndryshme në shoqërinë në të cilën jetojnë. Organizata ka synuar në mënyrë specifike burokracinë civile, ushtarake dhe të sigurisë. Qëllimi përfundimtar i gjithë kësaj është marrja në dorëzim e institucioneve të shtetit.
Përvoja e Turqisë përpara përpjekjes për grusht shteti është plot me shembuj të metodave të paligjshme që FETO mund të përdorë për të avancuar agjendën e saj. Këto përfshijnë shantazhe ndaj politikanëve dhe burokratëve, përdorimin e mashtrimeve sistematike në shkallë të gjerë në provimet qendrore për të vendosur anëtarët e tyre në institucionet shtetërore, manipulime, pretendimet fiktive, për të filluar procedurat gjyqësore kundër kundërshtarëve të tyre dhe përfitimin e medias, biznesit, shkollës dhe rrjeteve të OJQ-ve, që ata i kanë në pronë për këtë qëllim.
Synimi i parë i FETO-s është pa dyshim Republika e Turqisë. Për këtë arsye ata janë të angazhuar në një aktivitet sistematik propagandistik të zi, që synon drejtimin e opinionit publik ndërkombëtar kundër Turqisë. Sidoqoftë, unë do të doja të ndaja këshillat e mëposhtme miqësore: do të ishte një keqkuptim i rëndë të mendoja se FETO është vetëm një kërcënim për Turqinë. Nuk ka dyshim se hetimet ligjore që do të fillojnë në vendet ku FETO është vendosur do të zbulojnë shumë aktivitete të paligjshme, duke filluar nga korrupsioni financiar, te mashtrimi me aplikimet për azil dhe viza. Është koha që këto vende të ndërmarrin këtë hap.
Përkundër asaj që pohojnë anëtarët e saj, FETO nuk është palë në një konflikt politik në Turqi, por një rrjet i përgjakshëm terrorist dhe kriminal. Të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Madh Kombëtar të Turqisë, në pushtet ose opozitë, gjithashtu e konsiderojnë FETO-n një rrjet terrorist dhe kriminal.
Mesazhi im është i qartë. Ne duhet të veprojmë së bashku dhe me të njëjtën vendosmëri kundër të gjitha organizatave terroriste, pavarësisht nga format e tyre, duke përfshirë FETO-n. Asnjë kompromis nuk mund të bëhet për ata që kryejnë akte terroriste. Ashtu si në rastin e FETO-s, ne duhet të mbrojmë demokracinë dhe liritë, duke marrë parasysh fytyrën e fshehur të terrorizmit. Ne këtë ua kemi borxh qytetarëve tanë, viktimave të terrorizmit dhe brezave të ardhshëm.
Shkruan për Kosova Post: Mevlut Çavushoglu, ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë