Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në vazhdën e luftës kundër kontrabandës në veri të vendit, sot në fshatin Rudare të Zveçanit, njësitet policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Veriu, kanë ndaluar një automjet me të cilin po kontrabandoheshin barna, përcjell KosovaPost.
Njësitet policore gjatë kontrollimit të automjetit, kanë hasur pako me produkte medicinale me banderola të Serbisë.
Drejtuesi i automjetit, nuk posedonte dokumente për prejardhjen e produkteve medicinale, andaj ekziston dyshim i bazuar se ato kanë hyrë në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale, pra janë kontrabanduar duke i ikur obligimeve doganore.
Të gjitha këto barna ilegale të sekuestruara janë dorëzuar tek Dogana e Kosovës.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se lufta ndaj krimit të organizuar dhe kontrabandës do të jetë e pa kompromis dhe do të vazhdojë të shtrihet në tërë territorin e Republikës së Kosovës, thuhet në komunikatën për media nga MPB-ja.