Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook, pronari i kompanisë “Sharri Travel” i ka demantuar spekulimet e disa mediave, duke thënë që në autobus, nuk ka pasur pasagjerë, në momentin kur ai është përfshirë nga flakët, raporton Kosova Post.
Këtë reagim ai është detyruar ta bëjë, siç e ka thënë “pas disa raportimeve jo korrekte dhe jo profesionale të disa medieve në Shqipëri, të cilat lajme më pas u transmetuan edhe nga disa portale në Kosovë”.
Ky është reagimi i tij i plotë:
Të nderuar miq dhe klient të Sharr Travel”
Pas disa raportimeve jo korrekte dhe jo profesionale të disa medieve në Shqipëri, të cilat lajme më pas u transmetuan edhe nga disa portale në Kosovë, dëshiroj t’i jap disa sqarime për opinion:
E para:
Në autobusin e “Sharr Travel” që udhëtonte për Dhërmi dhe Jalë dhe jo Himarë, nuk kishte asnjë pasagjer, përpos shoferëve. Autobusi kishte zbritur udhëtaret në Dhërmi dhe vazhdonte drejtë parkingut në Jalë. Kjo është e vërteta!
E dyta:
Autobusi kishte pësuar një defekt teknik gjatë udhëtimit por i njëjti nuk është djeg apo përfshirë i tëri nga zjarri, siç raportuan disa medie.
E treta!
Sharr Travel është kompania me flotën më të madhe dhe më moderne të autobusëve jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Defekte të tilla, kur realizohen me dhjetëra udhëtime në ditë në Kosovë, rajon dhe diasporë, mund të ndodhin te secila kompani.
Me respekt, Ruzhdi Kurtishaj, pronar i Sharr Travel