Sipas Mustafë Selmanajt, kryetar i fshatit Gllogjan, autobusi ka lëvizur edhe pas vrasjes së shoferit, në sulmin që e shokoi mbrëmë tërë Kosovën, transmeton Kosova Post.
Siç keni mësuar nga raportimet tona, nga ky sulm mbetën të vdekur tre persona, dy nxënës bashkë me shoferin, ndërsa është raportuar edhe për të plagosur.
Mustafë Selmanaj duke folur për tragjedinë e mbrëmshme, ka thënë se akti është kryer nga një person i maskuar, i cili ka shtënë me kallashnikov.
“Ka ndodhur një tragjedi e madhe dhe e dhimbshme që nuk e mbajmë mend më përpara. Jam njoftuar rreth orës 19. Më mori prindi i një fëmijë e më tha shko se më ka mbet fëmija atje. Dikush ka dalë me breshëri arme duke vrarë 2 fëmijë. Kanë qenë 9 fëmijë në autobus. Ka pasur nevojë për trajtim mjekësor pasi ishin të terrorizuar. Ky autobus ka qenë linjë e rregullt Gllogjan-Gjakovë. Atë ditë ai ka qarkulluar 3-4 herë me nxënës. Në autobus s’ka pasur pasagjerë por vetëm nxënës” – ka sqaruar Selmanaj për news24.
“Ata kanë qenë 2 engjëj dhe s’kanë pasur konflikte me asnjë. Personi ka qenë i maskuar, ka qenë vetëm një dhe sipas nxënësve ai është larguar në këmbë. Autobusi eci 50 metra me shofer të vrarë e më pas ra në kanal. Ka qenë fati që fëmijët kanë lajmëruar prindërit dhe më pas ka ardhur policia. Në emër të fshatit dhe Komunës së Deçanit kërkojmë nga autoritetet të gjejnë autorin që ka bërë këtë krim të rëndë”, e ka mbyllur deklaratën Selmanaj.
Përndryshe edhe sot ka vazhduar kërkimi i provave të reja nga vendi i ngjarjes. Autobusi po ruhet nga policia, ndërsa në Gllogjan janë parë pjesëtarë të Njësisë Speciale të cilat kanë dalë në kërkim të autorit të krimit, i cili ndodhet në arrati./KosovaPost/