Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi dje se “charter”-i personal që Kryeministri Edi Rama përdor për udhëtimet e tij jashtë vendit, lidhet me dinjitetin e një shteti dhe jo me situatën e zjarreve.
Gjatë debateve në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, Peleshi deklaroi se nuk ia vlen që një vend si Shqipëria të investojë 50 milionë euro për një avion për shuarjen e zjarreve, duke shtuar edhe kostot e mirëmbajtjes.
“Ne nuk kemi helikopterë të posaçëm për shuarjen e zjarrit. Mendoj se një vend i vogël si Shqipëria s’ka leverdi që të investojë për një helikopter për shuarjen e zjarreve. Një avion “Kanader” kushton 50 milionë euro për ta përdorur një muaj, s’mund t’i investojmë atje për ta përdorur një muaj. Ne mirëmbajmë flotën tonë ajrore jashtë vendit, ndaj kostot janë edhe më të mëdha”, tha Peleshi.
Kjo deklaratë e ministrit të Mbrojtjes nuk është pritur mirë nga deputetët e opozitës, ku deputeti i PD-së, Ervin Salianji, pyeti ministrin nëse ia vlen që shteti të shpenzojë për “charter”-in e Kryeministrit me dhoma gjumi e salltanete miliona euro dhe jo për emergjencat.
“Si anëtar i Këshillit të Ministrave, a ia vlen që Kryeministri të ketë një charter personal me salltanete, me dhoma gjumi, të cilat kushtojmë miliona euro në vit, por nuk i sjellin ndonjë dobi publikut”, pyeti Salianji.
Ndonëse u shpreh se nuk është një pyetje nëse duhet apo jo një charter qeveritar, Peleshi tha se charter-i i kreut të qeverisë lidhet me dinjitetin e një shteti dhe jo helikopterët për shuarjen e zjarreve.
“Refuzoj t’i përgjigjem pyetjes nëse duhet një charter qeveritar. Është një pyetje retorike. Po flasim për emergjencat. Charter-i ka lidhje me dinjitetin e një shtetit, ndërsa helikopterët janë diçka tjetër. Kjo nuk është pyetje për mua, mund ta adresoni ku të doni”, tha Peleshi.
Për sa i përket debatit mbi gatishmërinë e helikopterëve Kugar, ministri Peleshi u shpreh se 3 nga katër janë për shërbime, ndërsa tani shteti “nuk paguan kosto parkimi për helikopterin që është në Itali”.syri.net.