Hyrja e paligjshme e automjeteve të “vendeve të tjera” bie ndesh me marrëveshjen e paqes së 10 nëntorit të vitit të kaluar, thotë Ministria e Mbrojtjes, transmeton Kosova Post.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit paralajmëroi Rusinë të dielën për lejimin e hyrjes së automjeteve nga vendet e huaja në territoret e Azerbajxhanit, shkruan AA.
“Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Azerbajxhanit i ka dërguar letra Ministrisë së Mbrojtjes të Federatës Ruse dhe Komandës së Forcave Paqeruajtëse në lidhje me hyrjen e paligjshme të automjeteve që u përkasin vendeve të tjera në territoret e Republikës së Azerbajxhanit, ku paqeruajtësit e Federatës Ruse janë vendosur përkohësisht”, thuhet në deklaratën me shkrim të ministrisë.
Më 10 nëntor 2020, pas një konflikti 44-ditor midis Armenisë dhe Azerbajxhanit në Malësinë e Karabakut, i njohur gjithashtu si Nagorno-Karabakh dhe rajonet përreth, të dy vendet nënshkruan armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia për t’i dhënë fund luftimeve dhe u angazhuan drejt një zgjidhje gjithëpërfshirëse.
Gjatë gjashtë javëve të luftimeve, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe rreth 300 vendbanime dhe fshatra pas një pushtimi prej gati tri dekadash.
Në përputhje me marrëveshjen, forcat armene u tërhoqën nga territoret e Azerbajxhanit, kurse në rajon u vendosën forcat paqeruajtëse ruse.
Ndërkohë, Turqia dhe Rusia gjithashtu krijuan një qendër të përbashkët për monitorimin e marrëveshjes së paqes në janar.
Ministria tha se raste të tilla “kundërshtojnë” deklaratën e përbashkët të nënshkruar nga presidenti i Azerbajxhanit, Rusisë dhe kryeministrit armen dhe “kërkoi t’i parandalonte ato”.
“Asnjë person fizik ose juridik i vendeve të tjera dhe automjetet e tyre nuk mund të hyjnë në territorin e Azerbajxhanit pa pëlqimin e Republikës së Azerbajxhanit, dhe raste të tilla konsiderohen si shkelje e ligjit të Republikës së Azerbajxhanit”, thuhet në deklaratë.