Në vijim të konferencës Begaj u pyet në prani të presidentit gjerman, lidhur me Procesin e Berlinit, dhe nëse ka një këshillë për qeverinë shqiptare sa i takon Ballkanit të Hapur, duke qenë se në këtë të fundit Kosova nuk merr pjesë.
Pyetja e gazetares Elda Menga nga Top Channel, lidhur me tensionet e fundit mes Kosovës e Serbisë, duket se vuri në siklet Presidentin Begaj. Në prani të homologut gjerman, Begaj u pyet nëse do t’i kërkojë qeverisë shqiptare që të mbajë një qëndrim sa i takon Ballkanit të Hapur ku pjesë e saj është edhe Serbia, nisur nga zhvillimet e fundit.
“Është i mirëpritur propozimi franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi. Çdo përpjekje për dialog dhe për gjetjen e zgjidhjes është i mirëpranuar nga ana jonë dhe kemi qenë pro dialogut.
Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm dhe marrëveshjet e para tre muajve krijojnë premisa edhe për në të ardhmen dhe nuk është se mund t’i jap ndonjë këshillë qeverisë për Ballkanin e Hapur apo procesin e Berlinit.
Fakti që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Shqipëri tregon se jemi të angazhuar. Nëse do të ketë në fokus lirinë e lëvizjes dhe fokusin ekonomik është i mirëpranuar dhe në këtë aspekt them se çdo bashkëpunim rajonal është i mirëpritur.”- u shpreh Begaj, ndërsa homologu i tij gjerman, ndërhyri për një saktësim, sikundër u shpreh:
“Unë dëshiroj vetëm të plotësoj. Nuk është dërguesi i propozimeve i rëndësishëm. Çdo kontribut që ul konfliktet është i mirëpritur. Shumë respekt për kolegun tim Lajçak që e ka kthyer në një mision të tij.” –përfundoi Steinmeier.