Ballkani Perëndimor është pika më e dobët e ‘Kontinentit të vjetër’. Politikat integruese të Bashkimit Evropian (BE), nuk është se janë implementuar me sukses, e për rrjedhojë edhe vendet e kësaj pjese të Evropës, kanë mbetur pikë e zezë në hartë. “Infiltrimi rus”, andaj, është mjaft evident, vënë në dukje ekspertët – shkruan Kosova Post.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA-të), në “epokën” administratës së Donald Trump, ndikuan keq në raportet me BE-në, por Joe Biden është treguar i gatshëm t’i rikuperojë këto dëme. Forcimi i NATO-s, është pjesë e vizionit të politikës së jashtme të administratës së Biden-it. Nga kjo mund të përfitojnë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Integrimi i plotë në këto instanca, do ta ndihmonin këtë pjesë të shkëputej edhe nga ndikimi rus.
“Synimi i Shteteve të Bashkuara, i Bashkimit Evropian dhe i vendeve të rajonit është i njëjtë – përparimi. Por, ndikimit rus, në anën tjetër, më shumë i konvenon që në këto vende të ketë korrupsion dhe gjendje të paqëndrueshme”, pat thënë qartë Matthew Palmer, ish-zëvendës-ndihmësi i Sekretarit Amerikan i Shtetit, në një intervistë për REL, në vitin 2019. Por politikat e jashtme në kohën e Trump-it, ranë ndesh me qasjen e BE-së, e për rrjedhojë nuk i ndihmuan as Ballkanit.
Në përgjithësi, përpjekja dekadëshe e ShBA-ve, nuk ka qenë gjithaq efikase. Në vendet si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, përherë janë promovuar rryma politike pro-ruse dhe anti-amerikane. BE dhe vendet e NATO-s, nuk janë treguar aq të guximshme për ta parandaluar bashkëpunimin dhe ndikimin e Rusisë në këtë pjesë të Ballkanit.
Faktet janë të pamohueshme. Vetëm në vitet e fundit, nga Rusia janë sjellë dhe dorëzuar në Serbi, si blerje ose si donacion, sistemi rus i raketave anti-ajrore “Pancir S1”, tanket luftarake T-72 dhe automjetet e blinduara BRDM-2.
Shikuar nga prizmi i bashkëpunime në rrafshin ushtarak, Ballkani Perëndimor, duket si një linjë strategjike, të cilën rusët, duan ta forcojnë edhe më tej, për ta forcuar ndikimin në Evropë. Prandaj në raportet ShBA – BE, temave si forcimi i NATOS, Kina, pandemia korona, ndryshimet klimatike etj, u është shtuar edhe ajo e Ballkanit Perëndimor. Të gjitha shtetet rajonit, Shqipëria, Kosova, Maqedonia Veriore, Mali i Zi, Serbia e Bosnja dhe Hercegovina, karakterizohen me specifika të veçanta, gjeopolitike. Të gjitha ndodhen rrugës për t’u integruar në BE, por Kosova bashkë me Bosnjën e Hercegovinën kanë mbetur prapa.
Prania ushtarake ruse në Siri dhe qasja e saj në Detin Mesdhe përmes porteve si Tartusit dhe Latakias, nënkupton praninë e armikut më të madh politik e ushtarak të NATO-s, përkatësisht BE-së, në këtë pjesë.
Duke qenë se në këtë pjesë të Evropës ka ende çështje të hapura, si fjala vjen ato ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “vegëza” e Republikës Serbe në Bosnje e Hercegovinë etj, skenarët e këqij mund të vihen në jetë, mjaft lehtë.
Duke e perceptuar këtë pjesë si pikë strategjike, planet e BE-së janë për t’ua lehtësuar këtyre vendeve, rrugën integruese. Vitin e kaluar në kuadër të Planit Gjithpërfshirës Ekonomik dhe Investimeve për Ballkanin Perëndimor, Komisioni Evropian (KE), parashihte investime deri në 9 miliardë euro.
Forcimi i transportit të qëndrueshëm, energjia, tranzicioni i gjelbër dhe transformimi digjital, nënkuptoheshin si segmente me rëndësi për zhvillim të mëtejmë në këtë pjesë të Evropës.
Kjo pjesë e kontinentit të vjetër, problemet kryesore për sa i përket integrimit, i ka me demokracitë e brishta, me ekonomitë jo-stabile dhe mungesën e sigurisë në investime. Viteve të fundit, korrupsioni dhe nepotizmi, kanë qenë sinonime me politikën ditore në shumë vende të Ballkanit Perëndimor, një faktor negativ ky, që ka ndikuar direkt në aspektin e investimeve.
E kur jemi te investimet, vitin e kaluar, Insituti për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL) publikoi një raport sipas së cilit, pasqyrohej “masa” e investimeve të huaja në Ballkan. Sipas të dhënave të raportit, del që Serbia ka tërhequr gjithmonë shumën më të madhe të investimeve:
“Gjatë pesë viteve të fundit, vëllimi i përgjithshëm i fluksit të IHD-ve në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor (BP) arriti në 22.6 miliardë dollarë (rreth 15 përqind të IHD-ve në Evropën Qendrore dhe vendet baltike), duke arritur kulmin e saj në vitin 2015 me 4.9 miliardë dollar amerikanë.
Shpërndarja e flukseve të IHD-ve në radhët e vendeve të BPsë ishte e pabarabartë. Serbia ka tërhequr deri tani shumta më e madhe të fluksit të IHD-ve gjatë këtyre viteve, duke arritur maksimumin e saj në dy vitet e fundit (2.3 miliardë dollar amerikanë në vitin 2015 dhe 2.2 miliardë dollar amerikanë në 2016). Ekonomia relativisht më e madhe për nga madhësia së bashku me numrin e saj më të madh të popullsisë (rreth 7 milionë) pjesërisht mund t’i shpjegojë shumat konsiderueshëm më të larta të flukseve të IHD-ve në këtë vend. Perspektiva e BE-së, stimuj të favorshëm, zonat industriale e të ngjashme janë edhe disa faktorë të tjerë që kanë luajtur një rol në dominimin e Serbisë.”
Vendet në fjalë, në dekadat e fundit kanë kaluar nëpër një periudhë tranzicioni politik. Në përgjithësi krerët e vendeve synojnë përmbushjen e kushteve për ta jetësuar aktin e anëtarësimit në BE me të drejta të plota. Edhe Kosova synon t’i kryejë obligimet në këtë aspekt. Por përpara Qeverisë Kurti II ndodhet problemi ende i pazgjidhur me Serbinë. Kjo çështje, sipas njohësve të zhvillimeve, mbetet një ndër sfidat më të mëdha, zgjidhja e së cilës, do t’ia lehtësonte republikës më të re në Evropë, rrugën e integrimeve./KosovaPost/