Barcelona dhuroi spektakël në “Reale Seguros Stadium” të San Sebastianit, ku shkatërroi me rezultatin 1-6 Real Sociedadin. “Blaugranat” kthejnë brenda pak orës diferencën prej katër pikësh me Atleticon e Madridit, që triumfoi minimalisht ndaj Alavesit.
Festivali i golave u çel nga Grizmann në minutën e 37-të, që e pati të lehtë ta dërgonte topin në rrjetë pas tentativës së parë të Dembelesë, që u kthye nga portieri. Pjesa e parë u mbyll me finalizimin e Dest, pas asistit të marrë nga Lionel Messi.
Pjesa e dytë nisi me një tjetër gol të “blaugranave”, që mban firmën e Dest dhe vetëm tri minuta më pas realizoi Lionel Messi, i shërbyer me zgjuarsi nga Busquets. Vetëm pak minuta i mjaftuan në fushë Moribas për të asistuar Dembelenë pë golin e 0-5, për të ardhur më pas te momenti i golit të vetëm të vendësve, i shënuar nga Barrenetxea Muguruza. Llogaritë me Sociedadin i mbylli Lionel Messi me golin e dytë personal, atë të 1-6, në minutën e 89-të.
23 gola dhe 8 asiste për Messin në këtë sezon, statistika këto të destinuara për t’u përmirësuar kur kanë mbetur edhe 10 ndeshje deri në përfundim të La Ligas.