Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në diskutimin e hapur për Projektligjin për Financimin e Partive Politike, ka shprehur mbështetjen e projektligjit në fjalë.
Tutje ka shtuar Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Szunyog, se ndryshimet në drafligj janë të rëndësishme dhe kanë për qëllim identifikimin e të mangësive që janë shfaqur në ligjin aktual.
Ai ka thënë se legjislacioni i rishkruar do të ndihmojë për avancim në luftimin e korrupsionit.
“Është e rëndësishme të garantohet një proces demokratik. BE-ja është e gatshme të përkrahë institucionet e Kosovës për gjërat që do të dalin nga ky projektligj”, ka thënë Szunyog.
Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Maria Suokko, tha se korrupsioni u jep rrugë jo të duhur financave andaj edhe e përkrahin këtë projektligj.
“Korrupsioni i jep rrugë jo të duhur financave, dhe ndikon ndaj të varfërve dhe ndaj shërbimeve publike, edukimit, shëndetësisë dhe kjo është mjaft sfiduese. Andaj kjo është pikërisht pse jemi përkrahës ndaj këtyre ndryshimeve të ligjit për partitë politike. Të zgjedhurit politikë duhet të tregojnë se si mbledhin para e si shpenzojnë ato”, është shprehur ajo, ndërsa theksoi se “ Jemi të gatshëm për të implementuar këto forma të reja”.