Komisioni Evropian do të japë një propozim ligjor për “certifikatën e vaksinimit” të planifikuar që të përgatitet për të siguruar lëvizjen e lirë brenda Bashkimit Evropian për ata që kanë marrë vaksinën kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Kosova Post.
Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen në një postim nga media sociale njoftoi se brenda muajit mars do të paraqesin propozimin e rregullimit ligjor për “Kartën e gjelbër dixhitale të kalimit” (Digital Green Pass).
Ajo tha se dokumenti dixhital do të përmbajë informacionet nëse personat janë vaksinuar apo jo, rezultatet e testit PCR të personave që nuk janë vaksinuar dhe nëse kanë zhvilluar apo jo antitrupa personat që kanë kaluar COVID-19.
Karta dixhitale ka për qëllim të lehtësojë udhëtimet e shtetasve evropianë brenda BE-së për qëllime biznesi ose turistike në bazën e informacionit mjekësor.
Priten detajet e propozimit ligjor për jashtë BE-së
Nuk ka ende qartësi se si do të funksionojë certifikata jashtë BE-së ose me vendet që nuk janë anëtare të BE-së. Për informacionet e mëtejshme për këtë çështje pritet të zbulohen detajet e rregullores ligjore.
Propozimi i rregullores ligjore që KE-ja do të paraqesë, është e nevojshme që të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare të BE-së.
Në Samitin e liderëve të BE-së që u mbajt javën e kaluar nëpërmjet video-konferencës u diskutua në mënyrë të gjerë edhe certifikata e vaksinës. Von der Leyen theksoi se punimet për certifikatën do të zgjasin gjatë dhe se do të duhet të paktën 3 muaj.
“Nëse duam të zbatojmë një certifikatë të tillë deri në verë, vendet anëtare duhet të veprojnë shpejt në shpërndarjen e saj në sistemin e kontrollit shëndetësor dhe kufitar sesa tek një konsensus mbi parimet dhe teknologjitë që do të përdoren”, potencoi Von der Leyen.
Zyrtarët e BE-së theksojnë se koha për përgatitjen e bazës ligjore dhe teknike si dhe finalizimin e certifikatës mund të zgjasë 3 muaj. Është e nevojshme të përcaktohen standardet teknike dhe të sigurohet mundësia e përdorimit të certifikatës në kontrollet e sistemit shëndetësor dhe në atë kufitar të vendeve anëtare. KE-ja kërkon që vendet anëtare të veprojnë shpejt për integrimin e certifikatës në sisteme. (AA)