Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, është takuar me shefin e zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën edhe më tutje në “luftën” kundër koronavirusit.
Këtë zotim e ka dhënë shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, shkruan lajmi.net.
Ka qenë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ai i cili e ka bërë të ditur këtë përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
“Mora konfirmimin nga ambasadori Szunyog se BE-ja do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në luftën kundër virusit. Ne do të jemi të përkushtuar si shtetet evropiane që ta luftojmë me tërë mundësinë edhe përhapjen e tij. Ndihma e BE-së, është shumë e rëndësishme”, ka shkruar ndër të tjerash Zemaj, përcjell lajmi.net.
Njoftimi i plotë i Zemajt, pa ndërhyrje:
Kam pritur sot në takim, Shefin e Zyrës BE-së/ Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së në Kosovë, z. Tomas Szunyog me të cilin kam diskutuar rreth situatës epidemiologjike në vend dhe menaxhimin e situatës me Sars Cov 2.
Është më se e nevojshme dhe e domosdoshme ndihma e mëtejme e shteteve të BE-së për sistemin shëndetësor por edhe në menaxhimin sa më efikas të pandemisë.
Mora konfirmimin nga ambasadori Szunyog se BE-ja do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën në luftën kundër virusit. Ne do të jemi të përkushtuar si shtetet evropiane që ta luftojmë me tërë mundësinë edhe përhapjen e tij. Ndihma e BE-së, është shumë e rëndësishme.
Gjatë 20 vjetëve të fundit, BE-ja ka investuar mbi 2.5 miliardë euro në të gjitha fushat dhe veprimtaritë shoqërore dhe institucionale të Kosovës. Gjatë pandemisë BE-ja na ka ndihmuar me 5 milionë euro me pajisje të nevojshme mjekësore.
Jemi falënderues dhe nuk e harrojmë!.