Zgjedhjet lokale të mbajtura së fundi në Kosovë, janë lavdëruar edhe nga Bashkimi Evropian, transmeton Kosova Post.
Më saktësisht, Misioni për Vëzhgim të Zgjedhjeve nga BE, ka thënë sot se ato u organizuan mirë dhe pa telashe të mëdha.
“Zgjedhjet kanë qenë të organizuara mirë dhe janë respektuar të drejtat gjatë fushatës. Në veri konkurrenca ka qenë e kufizuar” – ka thënë Shefi i misionit të Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale Lukas Mandl.
Sipas tij, përsëri ka pasur mungesë transparence, për sa i përket financimit të fushatës.
Megjithatë, ai ka theksuar se problemet kryesore janë vërejtur në veri të vendit:
“Kemi parë që Lista Serbe ka monopolizuar jetën politike të serbëve të Kosovës. Ka pasur raste të kërcënimit dhe presioneve nga kandidatët e Listës Serbe”.
Përndryshe, pas publikimit të rezultateve për Zgjedhjet Lokale 2021 nga ana e KQZ-së, del që në shumë qytete do të votohet për herë të dytë./KosovaPost/