Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borell tha të dielën se Rusia nuk dëshiron të “shfrytëzojë rastin” për të pasur një dialog konstruktiv me bllokun, ndërsa sinjalizoi sanksione të reja ndaj këtij vendi, transmeton Kosova Post.
Josep Borell i bëri komentet e tij pasi ai vizitoi Moskën në datat 4-6 shkurt, një udhëtim që ai e quajti të komplikuar dhe ku ai kishte diskutuar marrëdhëniet “shqetësuese” BE-Rusi”.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së tha se lidhjet janë përkeqësuar më tej me arrestimin e [opozitarit rus] Alexey Navalny, si dhe me arrestimin e mijëra demonstruesve që e mbështesin atë.
Synimi i kësaj vizite, e cila u realizua në prag të samitit të BE-së që do të mbahet në mars, ishte trajtimi i marrëdhënieve që po përkeqësohen me shpejtësi,- tha Borrell the shtoi: “Konferenca e shtypit, e organizuar në mënyrë agresive, dhe dëbimi i tre diplomatëve nga vendet e BE-së gjatë vizitës time në Rusi tregojnë se autoritetet ruse nuk dëshirojnë ta vlerësojnë mundësinë e një dialogu më konstruktiv me BE-në. Situata nuk ishte e papritur, megjithatë, është për të ardhur keq edhe nëse e shikojmë “nga një perspektivë strategjike ruse”.
Borrell tha se blloku dhe Rusia kanë mosmarrëveshje për shumë çështje, duke përfshirë Bjellorusinë, Ukrainën, Gjeorgjinë, Sirinë dhe Libinë.
Marrëdhëniet BE-Rusi,- vijoi Borrell,- do të diskutohen në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së më 22 shkurt dhe tha se vendet anëtare do të vendosin për hapat e ardhshëm, të cilat mund të përfshijnë sanksione.
“Nëse duam një botë më të sigurt për nesër, duhet të veprojmë me vendosmëri sot dhe të jemi gati të ndërmarrim disa rreziqe,” tha ai.trt