Motra e deputetes Ganimete Musliu, Fatmire Musliu, ka reaguar pas deklaratave të djeshme të Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, shkruan Kosova Post.
Fatmire Musliu, e cila ka shërbyer si diplomate afër një dekadë, u akuzua nga Kryetari Konjufca që për 9-të vite rresht, nuk është kthyer në Kosovë asnjëherë. Këtë, Konjufca, e cilësoi si shkelje.
“Gjatë këtij shërbimi kam punuar nën menaxhimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Alencës Kosova e Re dhe tani të Lëvizjes së Vetëvendosjes. Të gjitha subjektet politike që kanë qenë pjesë e parlamentit unë kam qenë diplomate. Nuk kam pas thirrje për kthim deri në ardhjen e zotëri Konjufcës kur më është dërguar një vendim të cilin e kam pranuar me lutjen që të kompletohet dokumentacioni për shkak se isha e dekretuar nga Presidenti, ketë e dokumentoj me fakte,“ – ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se, pavarësisht parashtrimit të kërkesës, nuk ka mundur të kthehet menjëherë, meqë ka qenë me dekret presidencial.
Ajo e ka akuzuar Konjufcën se e ka gjykuar në bazë të prejardhjes dhe jo profesionalizmit.
“Ata flasin, pastaj dalin nga ato çka kanë thënë. Në momentin që mua më referohen si motra e dikujt, dhe si motra të dikujt jemi vajzat e dikujt, kjo ka të bëjë edhe me prejardhjen time familjare,” tha Musliu.
Këto deklarata ajo i bëri në emisionin A23 me Flaka Vitakun, në ATV. Për më shumë, ajo është shprehur se, pavarësisht që i referohen si motra e Ganimetes, kjo e fundit nuk e ka ndihmuar të ngjitet në karrierë:
“Nuk është hera e parë që Konjufca, e edhe deputetët e tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, që në Parlament dhe në studio televizive nuk më referohen mua si Fatmire Musliu si dhe Diplomate e Republikës së Kosovës por si motra e Ganimete Musliut. Unë e përsëris, jam krenare që jam motra e Ganes, por jam 7 vjet më e madhe se Ganja dhe kur kam filluar aktivitetin tim politik ajo ka qenë ne klasën katërt ose të pestë të shkollës fillore” – është shprehur ajo./KosovaPost/