Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti gjatë një tubimi me përkrahësit e tij në komunën e Skenderajt, u përballë me disa përkrahës të PDK-së të cilët brohoritën dhe gjuajtën vezë ndaj tij, shkruan Kosova Post.
Kjo gjë ngjali reagime të mëdha, ku ky veprim i disa qytetarëve të Skenderajt u vlerësua si i papranueshëm.
Ndërsa, kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari ka reaguar ndaj kësaj vizite, ku deklaroi se secili ka të drejtë të shprehë bindjet e tij politike e partiake, në menyrë demokratike kudo në Kosovë.
“Komuna që unë udhëheq, është e të gjithë shqiptarëve që ia duan të mirën vendit, andaj secili nga ta është i lirë dhe i mirëseardhur kurdo dhe pa asnjë bring”, shkroi Jashari në Facebook.
Postimi i plotë
Të dashur qytetarë
Jetojmë në kohën e pluralizmit politik, në kohën e demokracisë liberale, ku mendimi i lirë politik, bindja politike është e drejtë fundamentale dhe e garantuar me ligj.
Secili nga ne ka të drejtë të shprehë bindjet e tij politike e partiake, në menyrë demokratike kudo në Kosovë.
Shoqëria jonë, bazuar në sfidat e së kaluarës, më së miri i di dhe i vlerëson liritë dhe të drejtat e njeriut.
Komuna që unë udhëheq, është e të gjithë shqiptarëve që ia duan të mirën vendit, andaj secili nga ta është i lirë dhe i mirëseardhur kurdo dhe pa asnjë brengë.
Për këtë kam punuar dhe do të vazhdoj të punoj pa rreshtur.