Ish zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha ka thënë sot se agresioni rus në Ukrainë ka mobilizuar politikanë evropianë.
Berisha, ka shkruar në Facebook se ‘evropianët duhet vetë të ndërmarrin iniciativën e integrimit të shteteve të kontinentit brenda BE-së dhe NATO-s, në mënyrë që të krijojë një tërësi kontinentale demokratike dhe paqësore’.
Postimi i plotë:
Agresioni rus në Ukrainë ka mobilizuar politikanë evropianë, siç u shpreh edhe Manfred Weber, në nevojën e forcimit të partneritetit me SHBA-të si diçka e natyrshme në kontekstin historik dhe të vlerave përfaqësuese.
Ideja e zgjerimit me partnerë të tjerë si Australia, Japonia, India etj. është qasja e duhur në mënyrë që fronti demokratik të jetë global.
Por, në këtë këndellje evropiane, nëse mund t’i jap të drejtë vetes në këtë konstatim, është e natyrshme që politika evropiane të heqë dorë nga stërkomplikimet burokratike e refuzuese ndaj një pjese, qoftë në Lindjen e saj dhe në Ballkanin Perëndimor, ngase u panë efektet e tmerrshme, luftëra e pasiguri në ish -Jugosllavi dhe në ish – republikat e ish – BRSS-së.
Tash, evropianët duhet vetë të ndërmarrin iniciativën e integrimit të shteteve të kontinentit brenda BE-së dhe NATO-s, në mënyrë që të krijojë një tërësi kontinentale demokratike dhe paqësore.
Kosova, sigurisht që e mirëpret dhe është e gatshme që sa më parë të jetë anëtare e NATO-s dhe BE-së.