Anëtari i LDK-së dhe ish- zëvendësministri i Jashtëm, Anton Berisha, ka reaguar pas humbjes së LDK-së në Podujevë, ndërsa kërkon që kjo parti të kthehet në gjenezë, shkruan Kosova Post.
Berisha thotë se ky rezultat në Podujevë është treguesi më i mirë që përjashtimi e injorimi i anëtarit të vet të shkakton humbje në një komunë tradicionale.
“Është koha e fundit që LDK t’i marrë parasysh mësimet në 15 vjetët e fundit, që kur hoqi dorë nga logjika e inkluzivitetit (gjithëpërfshirjes) në atë të ekskluzivitetit (përjashtimit), që e shndërroi nga partia që fitonte të gjitha zgjedhjet në parti që humbi të gjitha zgjedhjet, nga parti prirëse në parti ndjekëse e të varur nga të tjerët”, ka shkruar Berisha në Facebook.
Postimi i plotë i Berishës:
LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS TË KTHEHET NË GJENEZË
Rezultatet në Podujevë ishin treguesi me i mirë që logjika e përjashtimit dhe injorimit të anëtarit të vet, një praktikë e vendosur tash e sa vite në LDK, mund të shkaktoj humbjen e një komune tradicionale nga vetë ai anëtar, siç e dëshmoi z.Bulliqi në ditën e djeshme.
Është koha e fundit që LDK t’i marrë parasysh mësimet në 15 vjetët e fundit, që kur hoqi dorë nga logjika e inkluzivitetit (gjithëpërfshirjes) në atë të ekskluzivitetit (përjashtimit), që e shndërroi nga partia që fitonte të gjitha zgjedhjet në parti që humbi të gjitha zgjedhjet, nga parti prirëse në parti ndjekëse e të varur nga të tjerët.
Është kohë përcaktuese që LDK, përveç mobilizimit të potencialit të brendshëm intelektual, të mobilizoj edhe intelektualet e jashtëm me bindje të djathtë, ish kontribues dhe të tjerë, që veten nuk e shohin në partitë tjera, pasi ato dëshmuan se nuk mund të dalin jashtë kornizave të së majtës ideologjike.
Është kohë vendimtare që LDK, t’i prijë procesit të përmbylljes së shtetësisë, si një forcë që bëri kthesën historike të shkëputjes nga Serbia dhe ideologjia komuniste për t’iu bashkangjitur botës perëndimore; pra që LDK-ja të kthehet në gjenezën e vet, si një lëvizje intelektuale, që heqë dorë nga qasjet redukuese të natyrës rajonale, grupore e të personalizuara dhe i kthehet politikës së pikënisjes së saj, si një organizim demokratik , që ideal ka interesin kombëtar e shtetëror.
LDK ka përgjegjësinë politike e historike, që duke u reformuar e organizuar me shtrirje të gjerë e të thellë t’i jetësojë këto qëllime të larta për shtetin e Kosovë