Financimi rus 500 mijë dollarë për Partinë Demokratike, duket se ka hapur një luftë të re mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës.
Edhe pse Berisha e ka marrë gjithmonë në mbrojtje ish-kryetarin e partisë për këtë çështje para se ai ta përjashtonte nga grupi pas shpalljes “non grata” nga SHBA, për shkak se e cilësonte një trill të bërë nga kryeministri Edi Rama, Berisha ka dalë dje në një konferencë për mediat, duke “larë duart” nga kjo akuzë shumë e fortë që rëndon mbi partinë më të madhe opozitare në vendi. Ish-kryeministri Berisha ka thënë se Basha është fajtor i madh dhe prej kësaj dosjeje ka qenë gjithmonë peng.
Madje, Berisha u shpreh se për dosjen fillimisht e kishte njoftuar në vitin 2018, ambasadori amerikan Donald Lu, i cili i kishte dhënë përpara dosjen me shkrimin e gazetës Mother Jones, ndërsa theksoi se fillimisht kishte besuar Bashën.
“Në dosje, përveç artikullit të revistës dhe një flete se Nick Muzin ishte i regjistruar si lobist i Bashës, nuk kishte asnjë dokument tjetër. Lulzim Basha, i pyetur nga unë, më deklaroi se paratë e paguara për Nick Muzin, janë para të mbledhura në përputhje me rregullat në diasporën shqiptare në SHBA dhe se artikulli nuk ka asgjë të vërtetë. Midis artikullit të gazetës dhe shpjegimit të Bashës, unë kam besuar variantin e këtij të fundit”, deklaroi ai.
Kreu i “Foltores”: Ja pse ndryshova mendim për lobimin rus
Më tej Sali Berisha është shprehur se i besonte Lulzim Bashës kur në një intervistë në vitin 2018, i cilësonte si trillime lobimet ruse. Berisha u shpreh se gjithçka ndryshoi kur po merrte informacione nga emigrantët shqiptarë se Lulzim Basha merrte financime nga Rusia. “I besoja asaj që më betohej Lulzim Basha, por nisën të më informonin emigrantët shqiptarë nga diaspora. Këtë e kam deklaruar në foltore. Besoj se duhet të ketë qenë fillimi i këtij viti ose pak më vonë. Më parë nuk e kam ditur. Më parë e kam quajtur peng se ishte nën hetim për larje parash. Dosja duhet të jetë hapur 2 vjet përpara. Pra, kur me erdhën njoftime se nuk janë paguar para nga diaspora, mendova që Mother Jones ka pasur të drejtë dhe më ka mashtruar sepse kishte dalë një zinxhir gënjeshtrash”, u shpreh ai.
Ish-kryeministri me 2 standarte me SHBA
Ndërkohë Sali Berisha ka sqaruar përse mban qëndrime të ndryshme për SHBA, pasi nuk merr parasysh shpalljen e tij “non grata”, por i beson faktit që PD është financuar me 500 mijë dollarë nga Rusia, duke u shfaqur kështu me dy standarte. “Në rastin tim, vendimi i DASH është deri tani një vendim si në materia, pa asnjë fakt apo dokument. Ju nuk keni parë qoftë dhe një fakt të vetëm dhe unë kam deklaruar se fakti i vetëm që paraqitet, unë marr vendime ndaj vetes time por dhe kam thënë, edhe 100 vite të kërkoj, nuk do të gjej një të vetëm. Kur e kam thënë, ka qenë vetëm Sali Berisha që e dinte dhe një mik i imi, jo në Shqipëri. Unë kam barazuar dhe fëmijët e mi. Deri sot nuk ke parë një dokument të vetëm. Në këtë rast flitet me emra për personazhe ruse, për kompani ruse në Skoci, për fonde 500 apo 600 mijë dollar, për një dosje të mbyllur nga Edi Rama me mashtrime. Janë kaq shumë dokumente, për të cilat nuk ka asnjë përgjigje. Ka vetëm mbylljen e një dosje pa hetim. Lulzim Basha deklaroi se fondet i kam në diasporë. Cili prokuror shkoi në diasporë për të bërë hetimin? Cili prokuror shkoi për të marrë në pyetje Nick Muzin? Nga dolën 500 mijë dollar? Këta nuk dinin gjë, nuk kishin asgjë, por kryetari e dinte. Kryetari u mor peng nga Edi Rama”, tha ai.
Berisha akuza Bashës
Megjithatë, fondacionet ruse dhe skandali i lobimit të PD-së, e kanë bërë Berishën edhe njëherë të nxjerrë brirët e tij ndaj Lulzim Bashës. Edhe pse ishte vetë ai që e solli në krye të Partisë Demokratike pas dorëheqjes së tij, ish-kryeministri u shpreh se në momentin që u përça partia demokratike direkt pas shpalljes së tij Non Grata, deputetët demokratë bënë zgjedhjen e duhur që kaluan nga ana e tij. Madje Berisha këtë vendim të deputetëve e cilësoi si historik dhe se këta të fundit duhet të ndihen krenar. “Tani, do jem i hapur me ju, kërkesa për një audit do merret dhe është shumë i drejtë. Por Basha ka marrë çdo gjë me vete, nga hardisqet, gjithçka, kjo është e vërteta por partia do ta krijojë atë. Mbi bazën e hetimit mendoj unë të dënueshëm ka marrë Rama me mbylljen e dosjeve. Unë e kam quajtur Bashën peng para jush, demokratët që mbështetën Berishën duhet të ndihen krenar se bën një veprim historik”, nënvizoi Berisha./sot