Lëvizja BESA e ka kritikuar BDI-në që ka vendosur të mbajë koncert në një kohë krize në Maqedoninë Veriore.
“Kriza ekonomike nëpër të cilën kalon vendi është tejet e vështirë, për çdo ditë mirëqenia është në nivelin më të ulët. Shtrenjtimi i derivateve të naftës, rritja e çmimit të produkteve ushqimore, rritja e çmimit të energjisë elektrike e shumëçka tjetër është e papërballueshme për çdo familje në vend”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes BESA.
“Duke u përballur me këtë krizë të madhe, Tetova këto ditë u përball edhe me fatkeqësi natyrore, reshjet e rrëmbyeshme të shiut bllokuan qytetin e Tetovës së bashku me fshatrat e Malësisë”.
BESA ka kërkuar t’i dijë arsyet se pse po feston BDI-ja në një kohë ku, sipas tyre, qytetarët i kanë të zbrazur frigoriferët.
“Dy ditë pas vërshimeve, Tetovën e kaploi tymi i zi, një zjarr i madh shpërtheu në një depo fabrike në Tetovë. Pas gjithë këtyre vështirësive dhe momenteve kritike, BDI po e sheh të arsyeshme të festojë në Tetovë, pikërisht në sheshin ‘Iliria’, ku qeveria në të cilën bën pjesë BDI nuk e pa të arsyeshme të vijë në Tetovë dhe të shoh çfarë ndodh”.
“Çfarë feston BDI në Tetovë, vërshimet të cilat kapluan Tetovën, apo dëshirojnë të bëjnë festë se qytetarët i kanë të shprazur frigoriferët. Apo po festojnë djegien e fabrikës. A, nuk ju vjen turp që para këngëtarëve të cilët do paguhen nga 8000 euro t’i nxjerrim qytetarët të cilët nuk kanë qindarka në xhep? Çdo mendje e shëndosh do kishte reflektuar për t’u anuluar ky koncert, por si duket qejfet e tyre janë përpara popullit dhe fatkeqësive të tyre!”.