“Potamophylax coronavirus” për pak ditë, është bërë insekti më i famshëm në botë. Biologu Halil Ibrahimi, autor i zbulimit, në një intervistë për Kosova Post tha që nuk e kanë pritur që ai do t’i pushtojë mediat prestigjioze ndërkombëtare, duke u shndërruar në një senzacion mediatik.
“Sot janë bërë një javë, prej kur është publiku punimi, emri ka qenë veç i njohur ndërmjet kolegëve gati qe një vit, pritshmëritë kanë qenë pak a shumë që buja mediatike me qenë ma ndryshe se sa me llojet e tjera paraprake të zbuluara, por që do të bëhet kaq i famshëm, nuk e kemi prit. Nuk e kemi prit që do të raportojnë për të, pothuajse në dhjetëra qindra gjuhë këto ditë” – u shpreh Ibrahimi.
I pyetur nëse ky zbulim do t’i sensibilizojë institucionet, por në përgjithësi edhe shoqërinë, në ruajtjen e ambientit, Ibrahimi u shpreh:
“Vetë kjo buja që bëri lajmi këto ditë gjithandej botës, besoj që është njëfarë sinjali që edhe institucionet tona do ta marrin më seriozisht, jo vetëm këtë lloj, por në përgjithësi mjedisin në Kosovë dhe llojet e tjera. E mira e këtij zbulimi dhe i zbulimeve të ngjashme është që, i nxjerr llojet prej anonimitetit dhe më nuk mund të arsyetohen as institucionet, as shoqëria e as ne, që nuk e dimë kë po e mbrojmë. Tash e kemi një adresë të qartë, të saktë me emër e mbiemër, kështu që, kjo bujë, kjo famë që ka marrë ky lloj do ta bëjë më të vështirë çfarëdo veprimi negativ karshi tij dhe në anën tjetër, me shpresë që do t’i bëjë institucionet më të përgjegjshme me e mbrojte këtë lloj që ka marrë famë botërore tashmë.”
Dr. Ibrahimi gjatë bisedës vuri theksin te rreziku i mëtejmë i degradimit të ambientit. Sipas tij, “kërcënimet” ndaj ambientit, posaçërisht lumenjve, vijnë nga disa drejtime:
“Fatkeqësisht mjedisi vazhdon të jetë i kërcënuar prej drejtimeve të ndryshme, sidomos lumenjtë ku jeton ky lloj i ri dhe llojet e përafërta, vitet e fundit kanë pësuar një degradim të madh, duke filluar prej derdhjes së ujërave të zeza të papërpunuara në pjesën më të madhe të vendit. Mandej zgjerimi i zonave turistike dhe shtëpive të vikendit pa ndonjë plan, i ka rrezikuar shumë zonat burimore, ku jetojnë llojet më të rralla, kështu që në përgjithësi, gjendja e mjedisit nuk po sheh përmirësim.”
Ibrahimi foli edhe rreth raporteve që ai si shkencëtar i ka me kolegët e tjerë të rajonit, rreth asaj se sa e kanë mbështetur institucionet në punën e tij, si dhe rreth projekteve të tjera që pritet të realizohen gjatë këtij viti./
(Video-intervistën e plotë mund ta shikoni pas pak në:
https://www.facebook.com/kosovapost16/KosovaPost/