Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, transmeton KosovaPost.
Bëhet e ditur se në takim u bisedua mbi ecjen tutje dhe avancimin në zbatimin e Marrëveshjes Bazike.
“Në lidhje me këtë, zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi se marrëveshja duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të barabartë e të balancuar mes palëve. Ai tha se nënshkrimi i marrëveshjes është garancë dhe për pranim e zbatim të saj. Në këtë drejtim, refuzimi nga Serbia dhe letra e kryeministres Brnabiq dhjetorin e kaluar, nuk kontribojnë pozitivisht në frymën e dialogut dhe zbatimin në plotni të marrëveshjes. Ndërkohë, mbi masat ndëshkuese ndaj Kosovës, u kërkua nga ana e zëvendëskryeministrit Bislimi heqja e tyre sa më parë, ku shprehu se ato janë të padrejta dhe duhet të bëhen hapa finalizues drejt heqjes së tyre”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
Bëhet e ditur se, në lidhje me rrugëtimin e ë Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, u sqarua dhe nga emisari Lajçak që anëtarësimi i Kosovёs nё kёtё organizatё nuk ndёrlidhet me procesin e dialogut, dhe se ato janë dy procese të ndara.
“Mbi Rregulloren e BQK-së, zëvendëskryeministri Bislimi sqaroi se kjo nuk është pjesë e procesit të dialogut, dhe e njëjta nuk është subjekt i negociatave mes palëve. Poashtu, e siguroi z. Lajçak qё Qeveria ёshtё e interesuar tё sigurojё vazhdimёsinё e mbёshtetjes financiare tё Serbisё për serbët e Kosovës nё fushёn e edukimit, shёndetёsisё dhe mbrojtjes sociale. Përgjatë takimit, u ngritën dhe çështje të tjera të lidhura me procesin e dialogut si mbarëvajtja e zbatimit të marrëveshjes së energjisë me theks tek qasja jobashkёpunuese rreth mirёmbajtjes sё linjave tё interkoneksionit; ajo për targat, dhe telekomunikacioni. Mbi këtë të fundit, u adresua shqetësimi për shkeljet e vazhdueshme të Serbisë dhe ndërhyrjet në frekuencat brenda territorit tё Republikёs sё Kosovёs, shqetёsime kёto tё ngritura si nga ARKEP ashtu edhe nga KPM”, thuhet tutje në njoftim.
Zëvendëskryeministri Bislimi adresoi dhe çështjen e pasaportave ilegale KU, e mbi të cilën nënvizoi se ky propozim vijon të jetë i padrejtë dhe se i njëjti e dëmton dhe procesin e dialogut.
Në përfundim, ai e njoftoi emisarin dhe me hapat të cilat po i ndërmerr Qeveria, si mbështetja me dy mijë vende pune në katër komunat veriore, si dhe përmendi raportin më të fundit të UNDP-së i cili konstatoi rritje në ndjenjën e sigurisë tek serbët e Kosovës, nga 15.3% dhe 33.8% sa ishte në dy vitet e kaluara, në 37.6%, njofton zyra e Kryeministrit.