Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka përgënjeshtruar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili në një intervistë dhënë mediumit amerikan, CNN, ka thënë se Serbia ka zbatuar të gjitha marrëveshjet nga 2013-a deri më sot.
Bislimi e ka quajtur këtë deklaratë të Vuçiqit, propagandë të pastër.
Në një postim në Tëitter, ai ia ka renditur disa prej shkeljeve që sipas tij, janë të rënda, të cilat i ka kryer Serbia.
“Gjatë kësaj jave, në CNN, Vuçiqi tha se Serbia ka zbatuar të gjithë marrëveshjet nga prilli 2013 e deri më sot. Kjo nuk është e vërtetë dhe është në kundërshtim me realitetin. Është kthesë faktesh dhe propagandë e pastër”, ka shkruar ai.
Njëra prej gjashtë pikave të paraqitura nga Bislimi, ka të bëjë me marrëveshjen e vitit 2013, në të cilën përshkruhet shuarja e strukturave ilegale, për çka Bislimi thotë se Qeveria serbe nuk e ka përmbushur asnjëherë këtë obligim.
“Një dështim, efektin e së cilës po e ndjejmë edhe sot me tensionet e shkaktuara nga këto elemente kriminale në veri, ku huliganët e bandat të dirigjuara nga Beogradi po vazhdojnë të mbrojnë këto institucione paralele; E njëjta marrëveshje e vitit 2013, kërkon nga Serbia që të mos e pengojë apo inkurajojë pale të treta që ta pengojnë rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane. Dihen përmasat e përmbushjes së këtij obligimi nga ana e Serbisë së Vuçiqit. Njësoj të pazbatuara kanë rezultuar edhe obligimet e marra nga Serbia në marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit; marrëveshja për vulat doganore; marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave, marrëveshja për zhbllokimin e linjave të interkonjeksionit, marrëveshja për energjinë, pjesë të marrëveshjes për Telekomin; marrëveshja për vendosjen e zyrave ndërlidhëse; marrëveshja për certifikatat fitosanitare e shumë e shumë të tjera. Aq shumë shkelje, sa kemi konstatim zyrtarë të vetë Brukselit, sipas të cilit, lista e mospërmbushjes së obligimeve nga ana e Serbisë është dy herë më e gjatë se ajo e palës kosovare”, thuhet në këtë pikë.