Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, mirëpriti në takim Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Bislimi shprehu vlerësim të thellë për bashkëpunimin e ngushtë mes dy shteteve dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për procesin e integrimit evropian të Kosovës, duke përfshirë këtu liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.
“Takimi i ngrohtë dhe i dobishëm me të dërguarin special në BB, të cilin e falënderova për mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme të Gjermanisë në rrugën e BE-së dhe mbështetjen e fortë për ofertën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.@ManuelSarrazin, mezi presim të punojmë ngushtë së bashku dhe të forcojmë partneritetin tonë tashmë të fortë”, shkroi në Twitter Bislimi.
Po ashtu, sipas një komunikate për media të ZKM-së thuhet se Bislimi e njoftoi Sarrazin për përkushtimin e Kosovës në dialogun me Serbinë.
“Përsa i përket raundit të fundit të bisedimeve, Kosova ka qenë e përkushtuar të arrihet një marrëveshje permanente për çështjen e targave të veturave, duke i respektuar praktikat dhe standardet më të mira të Bashkimit Evropian”.
Tutje ai i tregoi pse nuk është arritur marrëveshja me Serbinë për çështjen e targave.
“Marrëveshja nuk është arritur për shkak të mungesës së vullnetit dhe propozimit konkret nga pala tjetër, që reflektoi interesimin e tyre për të bllokuar arritjen e kësaj marrëveshje dhe respektimin e marrëveshjes së Brukselit të 30 shtatorit. Kosova vazhdon të jetë konstruktive, kreative dhe e përkushtuar në këtë proces”, thuhet në komunikatë.
Warm & helpful meeting with 🇩🇪 Special Envoy to WB, whom I thanked for Germany’s firm & continuous support to 🇽🇰’s EU path & the strong support for CoE membership bid. @ManuelSarrazin, looking forward to working closely together and strengthening our already strong partnership. pic.twitter.com/WmUqhoTYrg
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) May 14, 2022