Bislimi takon ambasadorët e BE-së: Qytetarët po presin heqjen e vizave

Zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi në takimin e sotëm me ambasadorët e BE-së të akredituar në vendin tonë, ka prezantuar prioritetet e Qeverisë së Kosovës në Agjendën Evropiane për vitin 2022, si dhe ka kërkuar heqjen e regjimit të vizave, përcjell KosovaPost.

Në një postim në Facebook, Bislimi shkruan se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme dhe se qytetarët janë në pritje të një vendimi për heqjen e vizave të cilën e meritojnë.

“Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, theksoi se gjatë Presidencës franceze, ndër të tjera, Ballkani Perëndimor është një nga prioritetet kryesore. E rëndësishme ishte përkrahja që morëm për planet tona dhe gatishmërinë e shteteve të BE-së për të na mbështetur në këtë agjendë. Ne do të fokusohemi në këto reforma që garantojnë progres gjatë vitit, me qëllim të krijimit të rrugës së duhur që hap dyert për aplikimin për anëtarësim në BE”, shkruan Bislimi.

Lexo Edhe:

Postimi i plotë:

Sot mora pjesë në takimin e ambasadorëve të BE-së të akredituar në Kosovë. Në takim u prezantuan prioritetet e presidencës Franceze të BE-së dhe u diskutua agjenda e prioriteteve për vitin 2022. Falënderova Slloveninë dhe zyrën e BE-së për përkrahjen dhe reformat gjatë vitit të kaluar. Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel, theksoi se gjatë presidencës Franceze, ndër të tjera, Ballkani Perëndimor është një nga prioritetet kryesore.

Prezantova prioritetet e qeverisë së Kosovës në Agjendën Evropiane për vitin 2022 të cilat janë: 1) Zbatimi i MSA-së dhe agjendën e reformave evropiane (ERA-II) 2) Sundimi i Ligjit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit ; 3) Qeverisja e mirë dhe demokratizimi 4) Rimëkëmbja ekonomike 5) Reforma e administratës publike 6) Marrëdhëniet e mira fqinjësore përfshirë dialogun me Serbinë 7) Përafrimi i legjislacionit me Acquis të BE-së dhe 7) Programimin dhe absorbimin më të madh të fondeve të para-anëtarësimit (IPA III) dhe Fondit Investiv për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

E rëndësishme ishte përkrahja që morëm për planet tona dhe gatishmërinë e shteteve të BE-së për të na mbështetur në këtë agjendë. Ne do të fokusohemi në këto reforma që garantojnë progres gjatë vitit, me qëllim të krijimit të rrugës së duhur që hap dyert për aplikimin për anëtarësim në BE.

Simbolikisht, takimi i sotshëm shënon 10 vjetorin e fillimit të Dialogut të liberalizimit të vizave mes BE-së dhe Kosovës. Prandaj, shfrytëzova rastin t’iu rikujtoj vendeve anëtare të BE-së që Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme dhe qytetarët e Kosovës janë në pritje të një vendimi për heqjen e vizave të cilën e meritojnë.

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish

Tjera nga rubrika