Biznesmenët serbë druajnë se do ta humbin tregun në Kosovë për shkak të taksës

Biznesmenët serbë druajnë se do ta humbin tregun në Kosovë për shkak të taksës

Pronari i firmës “Hemotehna” nga Subotica e Serbisë, Radovan Mijatoviq ka thënë se eksportuesit do të humbasin tregun e Kosovës në qoftë se autoritetet në Prishtinë nuk do ta anulojnë së shpejti vendimin për taksën prej 10 për qind ndaj produkteve serbe.

Nga hyrja në fuqi e vendimit, mallrat e importuara nga Serbia janë përgjysmuar , ka njoftuar drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha

Kryeministri, Ramush Haradinaj në fillim të kësaj jave nuk e ka përjashtuar mundësinë e rritjes së taksës për mallrat që vijnë nga Serbia.

Serbia dhe Bosnja e Hercegovina kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në mbledhjet e organeve punuese të CEFTA-s në Prishtinë më 20 dhe 21 nëntor.

“Tani situata është tre herë më e keqe sesa ishte, një vit më parë, një masë e ngjashme që u bë për miellin”, tha Mijatoviq për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”.

Radovan Mijatoviq tha se është e nevojshme të “ndahet politika nga ekonomia në mënyrë që ajo të mos tërhiqet prapa”.

“Ne jemi duke e humbur tregun seriozisht, veçanërisht për shkak se disa kompani vendase nuk mund të eksportojnë në tregjet e largëta për shkak të natyrës së mallrave”, tha ai dhe paralajmëroi se prodhuesit nga vende të tjera do të ofrojnë mallrat e tyre në vend të atyre serbe, transmeton Klan Kosova.

Ai theksoi se që nga futja e taksave “Hemotehna” nuk ka transportuar në Kosovë ambalazhe për lëndë kimike dhe industri të cilën e prodhon sepse sipas tij blerësi llogarit edhe shpenzimet shtesë dhe analizon ndikimet që mund të ketë rritja e çmimit të mallit.

“Partneri ynë nga Kosova ka thënë se Hemotehna duhet t’i zbres çmimet e ambalazhimit në raport me taksën e vendosur dhe kësisoj t’i hedh shpenzimet tek prodhuesi”, deklaroi Mijatoviq. Ai shtoi se vlera e eksportit të fabrikës në Kosovë ka qenë rreth 50 mijë euro, kurse plani ishte që të rritet.

“Për shkak të taksës shtesë, fabrika jonë për 50 mijë euro eksport do të duhej të paguante 5000 euro, është e pamundur”, përfundoi Mijatoviq. /klankosova.tv/.