Korab Blakaj, i njohur për opinionin publik si biznesmen, por edhe njeri i penës, së fundi ka bërë një paralajmërim të frikshëm për çështjen e veriut të vendit, nga një studio televizive, transmeton Kosova Post.
Ai ka reflektuar mbi shumë probleme të shoqërisë kosovare, por është ndalur edhe te çështja e veriut të vendit. Sipas tij, indikacionet janë të qarta që atje do të ketë një përplasje fizike me serbët e veriut, përkatësisht grupet nacionaliste që territorin Mitrovicës Veriore, e cilësojnë si pjesë të Serbisë.
“Ne do të kemi një përballje fizike në territorin e Mitrovicës dhe në qoftë se ne e realizojmë, ne e vulosim përgjithmonë Republikën e Kosovës.”
Ai ka sqaruar më tej se ky nuk është plan i menduar nga Kryeministri Albin Kurti, përkundrazi, është një çështje e mbetur peng për shkak të ndërkombëtarëve.
“Nuk është proces i Albin Kurtit! Nuk është proces i Albin Kurtit” – ka përsëritur ai, duke shtuar se “është proces normal i shtet-formimit.”
Blakaj madje është shprehur edhe më qartë:
“Mitrovica duhet të çlirohet, siç është çliruar çdo qytet i Kosovës.”
I pyetur nëse ajo do të vijoj të manifestoj një vatër krize, Blakaj ka thënë se “ajo do të vijojë të prodhojë kriza, ajo do të vijoj të prodhojë luftë” ndonëse të një intensiteti më të shkurtër. Sipas Blakajt, në këtë pjesë të vendit do të testohet shteti ynë, nëse e meriton apo jo republikën.
Ai iu ka referuar raporteve shqiptaro-amerikane, duke thënë se të dhënat e fundit tregojnë se vendi është duke u përgatitur me kapacitete sulmuese.
Blakaj i cili jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë, është njohës i mirë i rrethanave në vend dhe është mjaft aktiv, duke e shtrirë veprimtarinë e tij përtej biznesit./KosovaPost/