Në një intervistë për televizionin “NBC”, Antony J. Blinken bëri vlerësime lidhur me çështjet aktuale të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton Kosova Post.
Duke iu përgjigjur një pyetje nëse vendi i tij do të kthehet një ditë në marrëveshjen bërthamore të nënshkruar me Iranin në vitin 2015, nga e cila administrata e mëparshme u tërhoq në 2018-n, Blinken tha se nëse Teherani zyrtar plotëson kushtet, SHBA-ja dëshiron kthimin në marrëveshje.
Ai vuri në pah se Irani duhet të ulet në tavolinën e bisedimeve me SHBA-në dhe aleatët e saj për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të fortë dhe afatgjatë, e cila do të përfshijë edhe disa çështje të tjera përveç dosjes bërthamore.
Tony Blinken argumentoi gjithashtu se Irani mund të përftojë një sasi të mjaftueshme të uraniumit të nevojshëm për armë bërthamore “brenda javësh”, nëse ai vazhdon të heqë kufizimet në kuadër të Plani të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit.
Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Mohammad Jawad Zarif, tha pak ditë më parë se zbatimi i plotë i marrëveshjes bërthamore varet nga heqja e sanksioneve.
Gjatë një videokonference me homologun irlandez, Simon Coveney, shefi i diplomacisë iraniane argumentoi se vendi i tij i ka respektuar angazhimet në kuadër të marrëveshjes bërthamore që prej fillimit, por me tërheqjen e Uashingtonit, Teherani nuk iu përmbushën interesat sipas JCPOA-së dhe për këtë arsye – por edhe për shkak të mungesës së përmbushjes së angazhimeve nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian – reduktoi angazhimet e tij.
“Irani është i gatshëm t’i plotësojë të gjitha angazhimet e tij në mënyrë që sanksionet të hiqen dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kthehen në zotimet e tyre. Zbatimi i plotë i marrëveshjes bërthamore varet nga heqja e sanksioneve”, u shpreh ai mes të tjerash.trt