Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u takua të enjten me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, për ta paralajmëruar sy më sy për pasojat serioze që Rusia do t’i kishte në rast të pushtimit të Ukrainës dhe i bëri thirrje që të kërkojë dalje diplomatike nga kriza.
Kryediplomati amerikan ia bëri këtë paralajmërim Lavrovit gjatë takimit të zhvilluar në Stokholm të Suedisë, një ditë pasi deklaroi se Uashingtoni është i gatshëm të përgjigjet me vendosmëri, përfshirë sanksionet e ashpra, në rast të sulmit nga Rusia ndaj Ukrainës.
“Mënyra më e mirë për ta shmangur krizën është përmes diplomacisë dhe kjo është ajo që pres ta diskutoj me Sergei-n”, u tha diplomati amerikan gazetarëve para fillimit të bisedimeve me homologun rus.
Ai tha se Rusia e Ukraina duhet që t’i zbatojnë plotësisht detyrimet e tyre sipas procesit të Minskut për paqe, të hartuar për t’i dhënë fund luftës mes forcave qeveritare ukrainase dhe separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës, shkruan Reuters.
Blinkeni tha se Uashingtoni është i gatshëm që ta lehtësojë këtë proces, por “nëse Rusia vendos që ta ndjekë konfrontimin, do të ketë pasoja serioze”. Në anën tjetër, kryediplomati rus u tha gazetarëve se Moska është e gatshme për dialog me Kievin. “Ne, siç ka thënë Presidenti Putin, nuk duam ndonjë konflikt”, tha ai.