Pak ditë më parë, Didier Deschamps tha para mediave se nuk është “Santa Klaus” dhe se nuk bën dhurata i pyetur për rikthimin e Benzema te Franca për Kampionatin Europian. Duket se nën “rrogoz” ka patur bisedime mes palëve për sulmuesin që është i “dënuar” prej 6 vitesh dhe nuk shkel në përfaqësuesen e “gjelave” por dy gazeta të mëdha si “L’Equipe” dhe “Le Parisien” janë të sigurta se në listen që do të publikohet së fundmi nga trajneri, Karim Benzema do të jetë mes lojtarëve të tjerë.
Presidenti i Federatës Franceze, Le Graet e ka mbrojtur publikisht vendimin e Deschamps për ta lënë jashtë bomberin por që tani mezi pret që Benzema të jetë sërish në kombëtare. Lojtari i Real Madrid u la jashtë që nga tetori i 2018 për çështjen e shantazhit ndaj lojtarit tjetër të kombëtares, Valbuena dhe ndërkohë që gjyqi ende nuk ka mbaruar për lojtarin ka mbaruar “internimi” me kampionët e botës në fuqi.
Tani krahas, Kylian Mbappé, Antoine Griezmann, Kingsley Coman, Olivier Giroud, Ousmane Dembélé, Wissam Ben Yedder e Anthony Martial pritet të jetë edhe Benzema duke kompletuar një nga repartet e sulmit më të frikshëm në Europë ndërkohë që ky ndryshim vjen edhe pas vendimit nga UEFA për të zgjeruar numrin e lojtarëve të përfaqësueseve në Euro 2020 me 26 lojtarë nga 23 që lejoheshin më parë