Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës ka shkaktuar shumë reagime, që çuan edhe deri në thirrje të seancës së djeshme, të jashtëzakonshme, për të debatuar lidhur me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, shkruan KosovaPost.
Kryetari i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu teksa raporton në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, për ta arsyetuar propozimin e këtij institucioni, i cili tha se e di se çmimet e energjisë elektrike janë të papërballueshme për një pjesë të konsumatorëve.
Fejzullahu ka theksuar faktin se kriza energjetike e ka përfshirë gjithë Evropën, duke shtuar se ka qenë e domosdoshme që ZRRE-ja ta shqyrtojë në mënyrë të jashtëzakonshme ndryshimin e tarifave të rrymës.
Duke përmendur çmimet e larta të importit të cilat i ka quajtur të pamundura për t’u përballuar, Fejzullahu ka thënë se situata është bërë e rëndë. Ai e ka theksuar edhe prishjen në termocentralin Kosova B në dhjetor, i cili i ka shkaktuar miliona euro shpenzime për energjinë e importuar.
“Kosto ditore e mungesës së këtij gjeneratori ka qenë rreth 1.5 milion euro me çmimin e tregut”, ka thënë ai. “Prandaj ZRRE-ja ka qenë e obliguar që të hapë shqyrtimin e jashtëzakonshëm.”
Fejzullahu tha se në Kosovë është menduar se mund të prodhojmë vetë rrymë për nevojat tona, por që kjo s’është e vërtetë viteve të fundit.
“Ne gjithë mendojmë që prodhojmë energji për nevojat tona, por në realitet – edhe pse deri tani kemi qenë shumë pak të varur nga importi – që disa vite të fundit, kjo varësi nga importi është rritur”, tha ai.
Si njërën nga arsyet për varësinë nga importi i energjisë elektrike, Fejzullahu e ka përmendur ndryshimin e strukturës tarifore në vitin 2017.