Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka uruar Vjosa Osmanin për zgjedhjen në krye të presidencës së Kosovës.
Pas kësaj, Borell deklaroi se me institucionet e reja të zgjedhura, Kosova tani mund të përqendrohet fuqimisht në dialog me Serbinë.
“Urime Vjosa Osmani për zgjedhjen si Presidente e Kosovës. Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Me institucionet e reja në vend, Kosova mund të përqendrohet për vendosshmëri në reformat e nevojshme dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha ai.
Duhet përkujtuar që Vjosa Osmani u zgjodh mbrëmë Presidente e Kosovës me 71 vota pro dhe 11 abstenime.
Çështja e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit shfaqi një sërë diskutimesh brenda politikës kosovare.
Pavarësisht “dramës” së krijuar në këtë aspekt, Osmani arriti që mbrëmë të ketë shumicën e votave të nevojshme për t’u emëruar si Presidente e Kosovës.