Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrel, deklaroi sot në Bruksel se nuk ka vend në Evropë për glorifikimin e krimeve të luftës dhe njerëzve që kanë kryer gjenocid, përcjell KosovaPost.
“Nuk ka vend në Evropë për të lavdëruar krimet e luftës dhe kriminelët dhe për të toleruar apo edhe mbështetjen publike për ata që mohojnë gjenocidin dhe festojnë krimet e luftës”, tha ai në një konferencë për shtyp pas takimit me kryeministren serbe Ana Brnabiq. Ai shtoi se këto parime i ndajnë me kryeministrin e Serbisë.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka biseduar sot në Bruksel me Komisionerin Evropian për Zgjerim, Oliver Varheji dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në prag të seancës së Këshillit të Stabilizim-Asociimit të Serbisë me BE-n.