Përfaqësuesi Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se situata në veri të Kosovës është e rrezikshme dhe se urgjentisht duhet të ndodh depërshkallëzimi i saj.
“Takova kryeministrin Albin Kurti në Bratislavë për të diskutuar për tensionet në veri të Kosovës . Situata aktuale është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme. Ne kemi nevojë për de-përshkallëzimin urgjent dhe një zgjidhje përmes Dialogut për t’iu rikthyer punës sonë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur”, ka shkruar Borrell.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i mbrojti sërish veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Kurti tha në Bratisllavë se Borrellit dhe Lajçakut u ka bërë të qartë se do të kishte mirëkuptim nëse protestat e serbëve në veri do të ishin paqësore.
“Nëse duan protesta paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta të pajtohet me ta. Por jo grupet me simbole ‘Z’ që sulmojnë policët e ushtarët e KFOR-it e gjuajnë granata e thërrasin ‘vrisni, vrisni’. Te këto grupe fashiste ne nuk mund ta dorëzojmë demokracinë tonë”, tha Kurti.