Raportohet se në këto marshime kishte prani të madhe të forcave izraelite që mbronin hebrenjtë pjesëmarrës në marshe.
Ramallah/ Qindra kolonë izraelitë dje mbajtën marshe të flamurit në Bregun Perëndimor të okupuar, të cilat u siguruan nga forca të shumta izraelite, raporton Anadolu Agency (AA).
Kolonët filluan marshimin e tyre nga sheshi Za’tara pranë qytetit Nablus në pjesën veriore të Bregut Perëndimor dhe marshuan drejt një post-vendbanimi në Malin Sbeih duke mbajtur flamuj izraelitë.
Në pjesën jugore të Bregut Perëndimor pranë qytetit të Betlehemit, dëshmitarët okularë raportuan një tubim në kompleksin izraelit të vendbanimeve Gush Etzion në të cilin kolonët mbajtën flamuj izraelitë dhe brohoritën parulla antiarabe.
Marshime të ngjashme u mbajtën në vendbanimin izraelit Kedumim pranë qytetit Qalqilya dhe në zonën Al-Aghwar pranë qytetit Masafer Yatta.
Raportohet se edhe në këto marshime kishte prani të madhe të forcave izraelite që mbronin hebrenjtë pjesëmarrës në marshe.
Të enjten, kolonët izraelitë bënë thirrje në rrjetet sociale për të protestuar duke valëvitur flamuj izraelitë kundër asaj që ata thanë ishte dështimi për të zbatuar urdhrat e rrënimit të shtëpive palestineze në të ashtuquajturën zonë C të Bregut Perëndimor.
Sipas marrëveshjes së Oslo-s të vitit 1995 midis Organizatës Çlirimtare të Palestinës dhe Izraelit, Bregu Perëndimor duke përfshirë Kudsin Lindor u nda në Zonat A, B dhe C.
Izraeli i ndalon palestinezët të kryejnë projekte ndërtimi në pjesë të Bregut Perëndimor të përcaktuar si Zona C sipas marrëveshjes e cila bie nën kontrollin administrativ dhe të sigurisë izraelite.
Ligji ndërkombëtar i konsideron Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor si territore të okupuara dhe i konsideron të gjitha aktivitetet ndërtimore izraelite si të paligjshme.