Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për ditën e tretë radhazi në seancë plenare. Byroja Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, debat parlamentar në lidhje me zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi, si dhe shqyrtimi i parë i Projekt-Kodit Civil të Republikës së Kosovës pritët të jenë pikat e përplasjes së madhe mes mazhorancës dhe opozitës.
Prej orës 10:00, të zgjedhurit e popullit do të shqyrtojnë Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Gjatë ditës së djeshme, këtë projektligj, para deputetëve e paraqiti dhe arsyetoi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo e konsideroi projektligj mjaft të rëndësishëm, duke kërkuar njëkohësisht mbështetjen e deputetëve për miratimin e tij.
Megjithatë, për shkak, siç u tha, rëndësisë së këtij projektligji, grupet parlamentare u dakorduan që diskutimet për këtë projektligj të zhvillohen sot, me prezencën e kryeministrit Albin Kurti.
Menjëherë pas shqyrtimit të kësaj pike, deputetët do të nisin seancë të re me pikat e zakonshme siç janë deklarimet jashtë rendit të ditë dhe pyetjet parlamentare.
Po ashtu, deputetët do të shqyrtojnë dy marrëveshjet me Shqipërinë, atë për sigurime shoqërore si dhe atë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe/ose të kontrollit të hyrjes/daljes së mallrave.
Më pas, do t’i lihet radha debatit parlamentar në lidhje me zhvillimet në dialogun Kosovë – Serbi.
Edhe shqyrtimi i parë i Projekt-Kodit Civil të Republikës së Kosovës pritet të ngjallë debat, duke qenë i kundërshtuar nga komunitetet fetare në vend si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që ka dal hapur se do ta votojë kundër, siç kanë paralajmëruar votë kundër edhe deputetë brenda pozitës dhe partive të tjera parlamentare.kp.