Shkruan: Dr. Mustafë Bajrami
Shënim redaksional: ‘Islami politk’ është nga termat më të keqkuptuar e njëkohësisht edhe më të keqpërdorur sot pasi nuk ekziston një përkufizim i pranuar universalisht. Mungesa e literaturës mbi këtë temë në gjuhën shqipe ka bërë që publiku jo vetëm të mos jetë i informuar saktë mbi kuptimet dhe implikimet e Islamit politik, por kjo i ka lënë hapësirë edhe përdorimeve jo të sakta nga njerëz jokompetentë në këtë fushë, duke krijuar më shumë konfuzion se sa sqarim.
Ky punim i Dr. Mustafë Bajramit vjen si nevojë për një sqarim korrekt dhe i përmbushjes së këtij vakuumi në literaturën shqip mbi këtë temë, e cila sot është në qendër të vëmendjes së studiuesve në të gjithë botë. Dr. Bajrami është pjesë e asaj elite studiuesish shqiptarë të pajisur me një dije të thellë dhe metoda analitike që i mundësojnë atij sjelljen e një analize sqaruese dhe shterruese mbi çdo temë që ai merr përsipër të trajtojë.
Ky artikull është nxitur nga debatet e fundit rreth Islamit politik nëpër disa media kosovare.
Në fakt, cektësia e njohurive rreth temës që shprehej nëpërmes shpjegimeve të gabueshme ishin arsyet pse vendosa t’i ofrojë lexuesit këtë artikull. Me keqardhje duhet të pranoj se jemi ndër popujt më të varfër sa i përket shkrimeve rreth këtyre temave kaq të rëndësishme. Studimi të cilin tani e keni para duarve, lexuesit i jep njohuri rreth Islamit politik, flet për dallimet midis tij dhe Islamit, si dhe ofron të dhëna shkencore mbi shkaqet, faktorët dhe momentet historike që i paraprinë paraqitjes së kësaj ideologjie politike islamike.
Montgomery Watt shkruan se shoqëria e parë islame ishte një shoqëri religjioze dhe politike në të njëjtën kohë, ndërsa përkatësinë e vetë e përkufizonte me shprehje fetare. Termi më i përdorur në Kur’an për ithtarët e Profetit është “besimtarët” (mu’minun). W. M. Watt shkruan gjithashtu se të pakët janë hadithet e Profetit që flasin me gjuhë nacionale, e në Kur’an nuk gjen asnjë ajet që flet mbi përparësinë racore. Përparësia e vetme mes njerëzve të cilën e përmend Kur’ani, thotë ai, është devotshmëria.
Bernard Dukiç nga Universiteti i Splitit mendon ndryshe nga i pari. Sipas tij, Islamizmi dhe Islami ekzistojnë si dy kategori të veçanta dhe nuk janë aspak sinonime. Islami është një fe besimtarët e së cilës janë muslimanë, ndërsa Islamizmi është një formë politike e Islamit; më saktësisht, është një ideologji dhe orientim politik i formuar brenda një bote komplekse islamike. Ai thotë se do të ishte e gabuar të pretendohet se Islami është në vetvete një lëvizje politike. Islami është fe që buron nga Shpallja e cila i erdhi Profetit Muhamed. Ai konstaton se meqenëse ndërlidhja midis lëvizjeve politike dhe botëkuptimeve të Muhamedit a.s. akoma mund të diskutohen, politikat e pasardhësve të tij nuk lënë hapësirë për dyshim se ata kombinuan Islamin me pushtimet dhe krijimin e një shteti të ri islamik.
Personalisht mendoj se Islami për nga përmbajtja dhe misioni që ka është fe universale. Meqenëse nuk njeh kufi, nuk lë jashtë domenit të vetë asnjë segment të jetës së njeriut. Këtë e thonë burimet kryesore të fesë islame që janë Kur’ani dhe Synneti. Nisur nga kjo, Islami nuk mund të mendohet as jashtë kategorive politike. Historikisht janë të njohura përpjekjet e Muhamedit a.s. dhe të shokëve të tij, të themelojnë shtetin menjëherë pas shpërnguljes së tyre nga Meka në Medinë. Pejgamberi e shihte shtetin si garantues i mbijetesës edhe biologjike edhe shpirtërore. Ky shtet s’do mend se do të drejtohej sipas parimeve bazë të Kur’anit. Sipas profesorit në Universitetin e Oxfordit, Shabir Akhtar, Islami në thelb është një fe politike. Duke e krahasuar me Krishterimin, thotë se ky i fundit është më shumë etik sesa politik. Akhtar shkruan se kjo nuk nënkupton se Islami nuk merret me etikën në masë sa merret Krishterimi, por që, ndryshe nga Krishterimi, në misionin e tij, Islami e llogaritë shtetin si garantues edhe i etikës shoqërore.
Përgjatë zhvillimit historik të Islamit si fe, si kulturë dhe civilizim, shteti ka luajtur rol shumë të rëndësishëm. Muqtedar Khan, në artikullin e tij të njohur “What is Political Islam” përshkruan momentet e ndjeshme nga ku zënë fill lëvizjet e para pan-islamike. Ai thotë se që nga fillimi i epokës koloniale dhe i dominimit perëndimor mbi vendet myslimane e deri më sot, shumë intelektualë dhe studiues myslimanë qajnë për humbjen e Perandorisë, fuqisë dhe lavdisë së dikurshme muslimane. Megjithëqë nuk ka konsensus për atë se ç’ishte arsyeja kryesore e rënies së muslimanëve, shuarja e Perandorisë Osmane, rrjedhimisht shfuqizimi i Halifatit Islam në vitin 1924, është momenti kryesor kur fillon nxitja në psikikën myslimane për një rimëkëmbje të mundshme. Shumë lëvizje Islame që atëherë u shfaqën me qëllimin e qartë për ringjalljen e ymetit mysliman dhe rivendosjen e tij në pozitën e lavdishme të kaluar.