Avokati Ridvan Kajtazi do ta mbrojë ish-prokuroren e EULEX-it Maria Thuraya Bamieh pranë Departamentit për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë lidhur me hetimet që janë duke u zhvilluar ndaj saj.
Ridvan Kajtazi ka thënë se së bashku me avokatin tjetër Toby Cadman, do ta përfaqësojnë denjësisht Maria Thuraya Bamieh.
“Sot fillova ditën e punës me përkushtim maksimal në përmbushje të detyrave në cilësi të avokatit mbrojtës, i autorizuar nga Maria Thuraya Bamieh që të njëjtën ta përfaqësoj pranë Departamentit për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë lidhur me hetimet që janë duke u zhvilluar ndaj saj”.
“Duke u bazuar në integritetin dhe profesionalizimin Maria Thuraya Bamieh gjatë punës si Prokurore Speciale e EULEX-it dhe kontributin e madhe në forcimin e sistemit të drejtësisë e po ashtu si një sinjalizuese e keqpërdorimeve dhe korrupsionit brenda misionit të EULEX-it, së bashku me kolegun Toby Cadman avokat nga Britania e Madhe do të mbrojmë fuqishëm të drejtat e Bamieh”.
Kujtojmë se prokurorja britanike që shërbeu në Kosovë si pjesë e EULEX-it, Maria Bamieh, në një konferencë për media ka thënë se ata që kanë keqpërdorur pozitat e tyre në EULEX akoma nuk kanë dalë para drejtësisë.